Lajmet e fundit
Nga mbledhja e Komisionit për Legjislacion…
E Marte, 06.02.2018
Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit, i kryesuar nga kryetarja e komisionit, Albulena Haxhiu, shqyrtoi sot Projektligjin nr. 06/L-025 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 03/L-225 për Prokurorin e Shtetit, i ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin nr. 05/L-034.
Pjesëmarrës në këtë takim për të dhënë sqarimet e nevojshme para anëtarëve të Komisionit lidhur me ndryshimet dhe plotësimet rreth këtij ligji, ishte ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, si dhe Besim Kelmendi, prokuror në zyrën e Kryeprokurotit të Shtetit.
Përkitazi me këtë, ata deklaruan se me ndryshimin e këtij ligji do të rritet efikasiteti në punën e prokurorëve dhe do të ketë sistem më efikas të drejtësisë. Debat i gjerë u zhvillua lidhur me fuqizimin e kompetencave të kryeprokurorit.
Ndërsa, pas shterimit të diskutimeve mes anëtarëve dhe ministrit Tahiri e prokurorit Kelmendi, Projektligji nr. 06/L-025 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 03/L-225 për Prokurorin e Shtetit, i ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin nr. 05/L-034, me shumicë votash mori përkrahje nw parim nga Komisioni.
Në vijim, Komisioni përkrahu edhe dy raporte me amendamente të komisioneve funksionale: Raportin e komisionit funksional për Projektligjin nr. 06/L-14 për Infrastrukturën Kritike, si dhe raportin me amendamente të komisionit funksional në Projektligjin nr. 06/L-013 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 04/L-072 për Kontrollin dhe Mbikëqyrjen e Kufirit Shtetëror, i ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin nr. 04/L-214.
Gjatë shqyrtimit të raportit me amendamente të komisionit funksional në Projektligjin nr.06/L-016 për Shoqëritë Tregtare, anëtari i Komisionit, Korab Sejdiu, sa i përket amendamentit 12, vlerësoi se është antikushtetues.
Me këtë rast, Komisioni përkrahu këtë raport, me vërejtjen në amendamentin 12.