Lajmet e fundit

Nga mbledhja e Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e FSK-së

E Marte, 06.02.2018




Në mbledhjen e sotme të Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës, kryesuar nga kryetari Haxhi Shala, ishte paraparë që të raportojë ministri i Punëve të Brendshme, Flamur Sefaj, rreth zhvillimeve në Inspektoratin Policor të Kosovës.

Mirëpo, raportimi i tij në këtë komision parlamentar nuk ndodhi, siç njoftoi kryetari Shala, për shkaqe shëndetësore të ministrit.

Komisioni ka zhvilluar një debat të gjerë lidhur me propozimin e nënkryetarit të Komisionit, Rexhep Selimi, që të formohet grupi i punës për mbikëqyrje të zbatimit të Ligjit për Inspektoratin Policor, mirëpo kjo çështje nga një pjesë e anëtarëve të Komisionit u kundërshtua, ngase ata fillimisht kërkuan raportim të ministrit për këtë çështje.

Me shumicë votash, Komisioni vendosi që javën e ardhshme të ftohet për raportim në Komision sërish ministri Sefaj.

Në vijim, Komisioni u njoftua edhe lidhur me vizitën e delegacionit të Kuvendit të Kosovës në Bruksel, për pjesëmarrjen e tyre në Asamblenë Parlamentare të NATO-s. Kryetari dhe nënkryetarët: Haxhi Shala, Rexhep Selimi dhe Zoran Mojsiloviq, vizitën e tyre në Bruksel e vlerësuan si një vizitë tejet të rëndësishme për Komisionin, ndërkaq sqaruan në detaje edhe temat të cilat janë trajtuar, si dhe për takimet e tyre me persoenalitete të larta në AP të NATO-s.

Çështja e Gjykatës Speciale, bashkëpunimi i Kosovës me KFOR-in dhe NATO-n, Demarkacioni i Kufirit me Malin e Zi, rëndësia e vazhdimit të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, si dhe ngritja e kapaciteteve FSK-së dhe mbështetja e mëtejme e saj, ishin çështjet që janë trajtuar gjatë kësaj vizite, njoftuan ata Komisionin.

Krejtësisht në fund, Komisioni ka formuar edhe një grup pune lidhur me Ligjin për Azil dhe atë për të Huajt.

Nga mbledhja e Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e FSK-së