Lajmet e fundit
Nga mbledhja e Komisionit për Administratë Publike...
E Hënë, 05.02.2018
Komisioni për Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media, i kryesuar nga kryetari Nait Hasani, mbajti tryezë lidhur me nismën ligjore për hartimin e Projektligjit për RTK-në.
Në këtë takim morën pjesë përfaqësues të Bordit të RTK-së, Sindikatat e Pavarura të RTK-së, organizata të shoqërisë civile, Këshilli i Pavarur për Media, etj. Tryeza e thirrur nga komisioni, sipas kryetarit, Hasani, kishte për synim të dëgjojë nga të gjithë akterët relevantë propozimet dhe vërejtjet e tyre, me qëllim të hartimit të një ligji sa më përmbajtësor dhe të zbatueshëm.
Kryetarja e Bordit të RTK-së, Afërdita Maliqi, gjatë fjalës së saj theksoi se ky projektligj është mirëpritur meqë, sipas saj, disa nene të ligjit paraprak janë tejkaluar. Ajo, në fokus të këtij projektligji vuri financimin, pronën dhe përbërjen e RTK-së. Ndërkaq, propozoi që financimi të jetë shtetëror në mënyrë që të ketë qëndrueshmëri dhe të jetë i pavarur. Lidhur me pronën e RTK-së, Maliqi, kërkoi nga komisioni që kjo çështje të përfshihet me ligj.
Kryetari i Sindikatës së Pavarur të RTK-së, Fadil Hoxha, e cilësoi projektligj të mirë në tërësi, por me disa vërejtje dhe propozime përkitazi me pika të caktuara. Lidhur më këtë, ai përmendi zgjedhjen e bordit të RTK-së, me ç'rast propozoi që të krijohet një organ heterogjen. Po ashtu, Hoxha, kërkoi që RTK-ja të kthehet në forcat e brendshme me ligj për pesë vite, duke mos lejuar presionet dhe ndikimet e jashtme.
Fjalën e morën edhe përfaqësues tjerë të sindikatave, si dhe ata të shoqërisë civile, nga të cilët u propozuan çështje që kishin të bënin me financimin, pronën dhe transparencën e Radiotelevizionit Publik të Kosovës.
Në fund të takimit, anëtarët e komisionit shprehen falënderim për të gjithë pjesëmarrësit, të cilët me propozimet dhe vërejtjet e tyre i kontribuuan këtij projektligji.
Komisioni u dakordua që t'i marr me shkrim të gjitha propozimet të cilat më pas do t'i përshtatë në projektligj gjatë hartimit.