Lajmet e fundit
Nga mbledhja e Kryesisë së Kuvendit
E Hënë, 05.02.2018
Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës, e drejtuar nga Kadri Veseli, kryetar, ka mbajtur sot mbledhjen e radhës, në të cilën ka vendosur që seanca plenare e radhës të mbahet të enjten, më 8 shkurt 2018, në orën 10:00.
Në seancën e të enjtes, pas deklarimeve jashtë rendit të ditës dhe pyetjeve të deputetëve, Kuvendi do të shqyrtojë për herë të parë katër projektligje: Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 04/L-219 për të huajt, Projektligjin për mbrojtje nga rrezatimi dhe siguri bërthamore, Projektligjin për pajisjet nën presion, si dhe atij për shërbimin gjeologjik të Kosovës.
Më pas, deputetët pritet të debatojnë sipas kërkesës së Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje lidhur me dënimin e disa aktivistëve të këtij subjekti politik, si dhe për raportin e 100 ditëve të punës të Qeverisë së Republikës së Kosovës, sipas kërkesës së nënkryetarit të Kuvendit, Kujtim Shala dhe gjashtë deputetëve nënshkrues.
Po ashtu, do të mbahet interpelancë e kryeministrit Ramush Haradinaj, sipas kërkesës së GP të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe atij të Vetëvendosjes, lidhur me Vendimin e Qeverisë së Kosovës nr. 04/20 të datës 20.12.2017 për rritjen e pagave të anëtarëve të Kabinetit qeveritar, vendimin nr. 05/24 të datës 12 janar 2018, për rritjen e pagave për të gjitha kategoritë e të punësuarave që marrin paga nga buxheti i Kosovës, si dhe vendimin nr. 15/24 të datës 12 janar 2018, për lartësinë e pagesës mujore për familjet në Skemën e Ndihmave Sociale.
Në vijim do të shqyrtohen rekomandimet e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur dhe Peticione në lidhje me faturimin e energjisë elektrike të shpenzuar në katër komunat veriore të Republikës së Kosovës, si dhe rekomandimi i Komisionit për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini, Sport, Inovacion dhe Ndërmarrësi për ratifikimin e nëntë anëtarëve të Këshillit Shtetëror të Cilësisë.
Raporti vjetor i performancës së Zyrës Kombëtare të Auditimit për vitin 2016, si dhe ai për gjendjen e mjedisit në Kosovë për vitin 2016, pritet ta përmbyllin këtë seancë.
Në mbledhjen e sotme, Kryesia shqyrtoi edhe çështje të tjera nga fushëveprimtaria e saj. Kështu, u proceduan për mendim në qeveri tri nisma legjislative, të hartuara nga GP i LDK-së: Nisma legjislative "Projektligji për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit nr. 05/L-029 për Tatimin në të Ardhurat e Korporatave", nisma legjislative "Projektligji për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit nr. 05/L-037 për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar" dhe nisma legjislative "Projektligji për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit nr. 05/L-028 për Tatimin në të Ardhurat Personale".
Po ashtu, Kryesia i dha mbështetje propozimit të deputetit Zenun Pajaziti, kryesues i Forumit për Transparencë Parlamentare, për organizimin e ditëve të Kuvendit gjatë vitit 2018.