Lajmet e fundit

Nga mbledhja e Komisionit për Integrime Evropiane

E Marte, 30.01.2018




Në mbledhjen e Komisionit për Integrime Evropiane, kryesuar nga kryetarja e Komisionit Blerta Deliu-Kodra, u miratua Raporti i Punës së Komisionit për sesionin vjeshtor 2017, ndërkaq me disa plotësime shtesë nga anëtarët e Komisionit, u miratua edhe Plani i Punës së Komisionit, për vitin 2018.

Komisioni ka shqyrtuar edhe Projektligjin nr.06/L-004 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.03/L-094 për Presidentin e Republikës së Kosovës, nga aspekti i përputhshmërisë me legjislacionin e BE-së.

Me këtë rast, anëtarët e Komisionit paraqitën qëndrimet e tyre politike lidhur me këtë projektligj. Po ashtu, pati një diskutim të gjerë nga ta lidhur me pagat nëpër institucionet e Kosovës. Disa nga anëtarët kritikuan rregullimin e pagave dhe beneficioneve në mënyrë të njëanshme nga disa institucione të caktuara. Përkitazi me këtë çështje, Komisioni u dakordua që në muajin shkurt të ftohet për raportim Ministri i Administratës Publike, për të dhënë sqarimet e nevojshme për Ligjin për pagat.

Pas këtij debati, Komisioni me shumicë votash procedoi në seancë këtë projektligj, i cili nuk rregullohet me legjislacionin e BE-së.

Në çështje të ndryshme, anëtarët e Komisionit ngritën një varg shqetësime. Mes tjerash, ata kërkuan që të zhvillojnë vizita zyrtare në shtetet që nuk e kanë njohur shtetin e Kosovës dhe të cilat janë anëtare të Bashkimit Evropian.

Komisioni po ashtu diskutoi edhe për vizitën e Komisionit për MSA-në në Parlamentin Evropian. Ndërkaq, u njoftua edhe për pjesëmarrjen e anëtarëve të Komisionit për Integrime Evropiane: Blerta Deliu-Kodra, Armend Zemaj dhe Fikrim Damka, në takimin e kryetarëve të Delegacioneve të COSAC-ut (Konferenca e Komisioneve Parlamentare për Çështjet e Bashkimit) i cili është mbajtur në Sofje të Bullgarisë, më 21 dhe 22 janar të këtij viti.

Nga mbledhja e Komisionit për Integrime Evropiane