Lajmet e fundit
Nga mbledhja e Komisionit për Legjislacion…
E Marte, 16.01.2018
Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit, i kryesuar nga kryetarja e komisionit, Albulena Haxhiu, miratoi sot raportin vjetor të Punës së Komisionit, për vitin 2017. Ndërkaq, pasi ka shqyrtuar Projektligjin nr. 06/L-004 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 03/L-094 për Presidentin e Republikës së Kosovës dhe pas një diskutimi të gjerë, me shumicë votash u mbështet nga Komisioni.
Në vijim, Komisioni, shqyrtoi edhe Raportin me amendamente të Komisionit Funksional në Projektligjin nr. 06/L-019 për Standardizim. Ky raport u përkrah nga Komisioni, me një ndryshim që ka të bëjë me amendamentin 19.
Tutje, Komisioni në mënyrë unanime vendosi që anëtari i Komisionit, Sami Kurteshi të jetë anëtar në Komisionin për Kompensimin e Viktimave të Krimit.
Ndërkaq, sa i përket çështjes së caktimit të dëgjimeve publike për Projektligjin nr. 05/L-145 për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit nr. 2004/26 për trashëgiminë në Kosovë, Projektligjin nr. 06/L-010 për Noterinë dhe Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.03/L-007 për procedurën jo-kontestimore, Komisioni u dakordua që dëgjimi publik për to të mbahet më datën 24 janar.
Krejtësisht në fund, Komisioni diskutoi edhe lidhur me Rregulloren e Kuvendit. Sqarime lidhur me draftin e kësaj rregullore dha kryesuesi i grupit të punës, Hajdar Beqaj. Ai kërkoi nga përfaqësues të komisionit që paraprakisht të konsultohen me grupet e tyre parlamentare (16-25 janar) dhe t'i adresojnë shqetësimet e tyre lidhur me këtë draft në Komision.