Lajmet e fundit

Nga mbledhja e Komisionit për Arsim...

E Mërkure, 13.12.2017




Komisioni për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini, Sporte, Inovacion dhe Ndërmarrësi, mbajti takimin e radhës, të drejtuar nga kryetari, Ismajl Kurteshi.

Në këtë takim është shqyrtuar Projektligji për buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2018, ku të ftuar ishin dy ministrat e linjës.

Në pjesën e parë të mbledhjes, ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, gjatë prezantimit të tij, tha se këtë vit ministria që ai drejton ka rritje të buxhetit prej 17 për qind, krahasuar me vitin e kaluar. Ai tha se planet për këtë ministri kërkojnë më shumë buxhet për realizimin e projekteve, andaj edhe kërkoi rritje shtesë, lidhur me mbulimin e pagave për krijues dhe performues.

Prioritet, sipas ministrit Gashit, i është dhënë themelimit të një grupi punues për hartimin e strategjisë për rini, si dhe krijimit të një fondi rinor. Po ashtu, Gashi theksoi rëndësinë e krijimit të Inspektoratit për Trashëgimi Kulturore , i cili do t'i mbikëqyrte të gjitha monumentet dhe asetet kulturore.

Anëtarët e komisionit shtruan pyetje lidhur me çështjen e teatrit, investimeve kapitale për renovimin e stadiumeve etj., në të cilat ministri dha sqarimet e tij.

Në pjesën e dytë të mbledhjes, ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqyri Bytyqi, para anëtarëve të komisionit prezantoi në mënyrë të përgjithshme linjat buxhetore për vitin 2018. Ai tha se ministria që ai drejton, ka një buxhet në rritje përafërsisht prej 20 për qind krahasuar me vitin e kaluar. Sipas Bytyqit, me këtë buxheti të ndarë nga qeveria, arsimi nuk është prioritet as këtë vit.

Ministri Bytyqi, iu referua në vija të trasha linjave të ndara buxhetore. Ai bëri të ditur se buxheti i miratuar në parim për vitin 2018 për sektorët që ai udhëheq, është mbi 54 milionë euro.

Pas prezantimit të ministrit, anëtarët e komisionit shtruan një varg pyetjesh dhe ngritën problematika që hyjnë në fushëveprimtari të kësaj ministrie, si: ndërtimi i shkollave të reja, ndërtimi i objektit në Fakultetin e Shkencave Natyrore, mungesa e kampusit në universitetin "Kadri Zeka" në Gjilan, Ligjin për punëtorët arsimorë të viteve të 90-ta etj. Po ashtu u shtrua nevoja e stafit mbështetës në shkolla, për psikologë dhe pedagogë.

Bytyqi u përgjigj pyetjeve të deputetëve, duke dhënë sqarimet e nevojshme për të gjitha çështjet e ngritura që bien në fushëveprimatinë e kësaj ministrie.

Nga mbledhja e Komisionit për Arsim...