Lajmet e fundit

Komisioni për Zhvillim Ekonomik...

E Marte, 12.12.2017




Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE), përkatësisht, anëtari i Bordit të këtij institucioni, Arsim Janova, gjatë mbledhjes së sotme të Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti, Industri dhe Zhvillim Rajonal, kryesuar nga Sala Berisha- Shala, kryetare e këtij komisioni, paralajmëroi mundësinë e ngritjes së çmimit të energjisë, në rast se nuk tejkalohen sfidat në sektorin e prodhimit të energjisë.

Sipas përfaqësuesit të ZRRE-së Janova, gjendja e rënduar në këtë sektor është si pasojë e vendimit të mëhershëm të Gjykatës Themelore dhe asaj të Apelit, të cilat e kanë vlerësuar të padrejtë mbulimin e shpenzimeve të energjisë elektrike për katër komunat veriore, nëpërmjet faturimit të energjisë nga pjesa tjetër e qytetarëve.

Për shkak pezullimit të faturimit të energjisë në ato komuna, sqaroi më pas Janova, si dhe ulja e prodhimit në KEK ka sjellë probleme akoma më të mëdha, ndërkaq, KEDS-i, tha ai, është i detyruar të importojë energji elektrike me çmim tejet të lartë.

Lidhur me gjendjen e rëndë në këtë sektor, Janova bëri të ditur se kanë njoftuar institucionet relevante, nga të cilat tha ai, presim zgjidhje të shpejtë dhe efikase.

Gjatë njoftimit të tij për gjendjen energjetike në vend, ai u është përgjigjur edhe pyetjeve të shumta që ngritën anëtarët e komisionit.

Komisioni e vlerësoi të domosdoshme, ndërkaq, nevojën që bordi i ZRRE-së të kompletohet sa më shpejtë që është e mundur, dhe për këtë i bëri thirrje Qeverisë që të nisë procedurat për kompletimin e tij.

Komisioni për Zhvillim Ekonomik...