Lajmet e fundit
Nga mbledhja plenare e Kuvendit
E Enjte, 07.12.2017
Në mbledhjen e sotme plenare të Kuvendit, të kryesuar nga kryetari Kadri Veseli (pjesë të mbledhjes i udhëhoqën nënkryetarët Xhavit Haliti, Kujtim Shala dhe Mufera Shinik) u shqyrtua Programi i Qeverisë së Republikës së Kosovës 2017-2021.
Para fillimit të kësaj pike të vetme të rendit të ditës, kryekuvendari Veseli propozoi që vazhdimi i mbledhjes së Kuvendit për votimin e Projektligjit për Buxhetin e Republikës së Kosovës, për vitin 2018, të mbahet gjatë ditës së diel, megjithatë për këtë çështje u deklaruan edhe shefat e grupeve parlamentare dhe disa nga deputetët. Krejtësisht në fund të diskutimit lidhur me këtë çështje, u vendos që vazhdimi mbledhjes plenare për votimin e këtij projektligji të mbahet të dielën, duke filluar nga ora 15:00.
Në vijim, Kuvendi vazhdoi punimet me shqyrtimin e programit qeverisës për vitin 2017-2021, që u prezantua nga kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj.
Me këtë rast, kryeministri Haradinaj, duke shpalosur programin e tij qeverisës tha se vizion i qeverisë është rritja e mirëqenies dhe hapja e vendeve të reja të punës, si dhe zhdukja e varfërisë ekstreme.
Pasi ka përmendur edhe ndryshimet që do të bëhen në avancimin e legjislacionit në fushën penale, ai tha se qeveria do të vazhdojë luftën kundër krimit të organizuar dhe se menaxhimi i kufijve do të arrijë standardin evropian. Haradinaj po ashtu ka përmendur edhe çështjen e imunitetit të deputetëve.
"Shpresojmë se do të rregullohet edhe imuniteti i deputetëve, në mënyrë që mos t'i shohim si sot me pranga në gjykatë", tha kryeministri Haradinaj, duke vijuar më tej me zotimin e tij se do të ketë zhvillim ekonomik dhe të qëndrueshëm, ndërsa përmendi edhe realizim të projekteve të mëdha zhvillimore. Pastaj, ai shtoi se do të ketë ngritje ekonomike deri në 7 për qind.
Kryeministri i vendit siguroi mes tjerash se do të ketë sundim të rendit dhe ligjit dhe se do të zgjidhet edhe çështja e problemit të sektorit të energjisë elektrike.
Ai pasi diskutoi lidhur me politikën e jashtme dhe integrimet euroatlantike, për njohjet e reja dhe anëtarësimin në organizatat ndërkombëtare, foli edhe lidhur me dialogun Kosovë-Serbi. Përkitazi me këtë, ai tha se synohet ndërtim i marrëdhënieve fqinjësore dhe se kjo çështje do të përmbyllet suksesshëm dhe duhet të këtë afatizimin kohor, duke përmendur me ketë rast edhe njohjen reciproke të shteteve. Sa i përket çështjes së liberalizimit të vizave, Haradinaj tha se Kosova do t'i përmbushë kriteret për këtë çështje dhe se do të përshpejtohen edhe proceset e tjera integruese. Ndërsa, sa i përket anëtarësimit të Kosovës në NATO, kryeministri përmendi edhe transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në Forcat e Armatosura, në bashkëpunim të plotë me NATO-n.
Pas paraqitjes së këtij programi qeverisës nga kryeministri Haradinaj, kryetarët e grupeve parlamentare shprehën qëndrimet e tyre lidhur me këtë program. Me këtë rast u zhvillua një debat i gjerë mes deputetëve të LDK-së dhe kryeministrit Haradinaj për çështjen e demarkacionit me Malin e Zi.
Glauk Konjufca (Lëvizja Vetëvendosje), gjatë deklarimit të tij rreth programit qeverisës, fillimisht përmendi gjykimin e deputetëve të VV-së, duke kërkuar njëherazi lirimin e tyre dhe të aktivistëve të kësaj partie, siç tha ai, të dënuar padrejtësisht. Ndërsa, kritikoi shqyrtimin e këtij programi qeverisës pas shqyrtimit të projektligjit për buxhet. Sipas tij, në praktika normale fillimisht duhet diskutuar programi i qeverisë, e më pastaj projektligji i buxhetit.
Konjufca përmendi vëllimin e programit qeverisës, duke shtuar se vëllimi nuk është garanci e përmbajtjes së mirë, ndërkaq tha se ky program është i ngarkuar me fraza të përgjithshme. Duke u ndërlidhur me zotimin e kryeministrit Haradinaj se do të ketë ngritje ekonomike deri 7 për qind, Konjufca kërkoi sqarime nga ai lidhur me masat që do të ndërmerren dhe pse nuk është bërë ndonjë plan më i hollësishëm lidhur me këtë.
Avdullah Hoti (Lidhja Demokratike e Kosovës), vlerësoi se ky program e shpërfaq në mënyrë të vrazhdë mungesën e vizionit të kësaj Qeverie se kah duhet të shkojë shoqëria kosovare. Sipas tij, qeveria aktuale nuk ka pasion dhe përkushtim për t'iu shërbyer qytetarëve dhe për t'ua përmirësuar jetën atyre. Ai tha se programi qeverisës nuk është program i punëve të mëdha dhe se me këtë program degradon progresi që është arritur në tri vitet e fundit. Ndërkaq, një çështje që ngjalli debat pas fjalimit të z. Hotit ishte edhe çështja e demarkacionit me Malin e Zi, duke kërkuar sqarime shtesë nga kryeministri. Hoti në vijim ka përmendur edhe disa nga premtimet elektorale të partnerëve të koalicionit qeverisës, që, sipas tij, ky program nuk i përmban.
Elmi Reçica (Partia Demokratike e Kosovës), duke shprehur mbështetjen e plotë të grupit parlamentar të PDK-së ndaj këtij programi qeverisës, tha se ky program në esencë ka për bazë tri shtylla kryesore të qëndrueshmërisë së shtetit, duke përmendur me këtë rast zhvillimin ekonomik, mirëqenien e qytetarëve dhe uljen e papunësisë, si dhe krijimin e kushteve të barabarta të të gjithë qytetarëve në tregun e punës.
"Në programin qeverisës shihet qartë se qeveria ka trajtuar qartë arsimin, shëndetësinë dhe bujqësinë", tha Reçica, duke përmendur në vijim edhe çështjen e sundimit të ligjit, gjë për të cilën sipas tij, duhet kontribuar edhe Kuvendi përmes miratimit të ligjeve dhe dokumenteve që prekin këtë fushë.
Duke u ndërlidhur me çështjen e zhvillimit ekonomik, Reçica tha se në këtë çështje po ashtu nevojitet përkushtim i të gjithëve, për të ndikuar në zbutjen e papunësisë. Ai shtoi se dialogu me Serbinë duhet të ketë një epilog dhe se çështja e demarkacionit me Malin e Zi duhet të përfundojë, meqë, sipas tij, Kosova ka mbetur vend i izoluar.
Ahmet Isufi (Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës), sa i përket programit qeverisës, tha se ky program ka tre muaj që ka ardhur në Kuvend. Ndërsa, duke u ndërlidhur me debatet e sotme në Kuvend nga deputetët, ai tha se duhet të flitet për rezultatet edhe dobësitë e kësaj qeverie, e jo që debati për programin qeverisës të shndërrohet në debat për tema jashtë programit.
"Parlamenti duhet të jetë vendi ku debatohet për temat që janë në interes të qytetarëve dhe jo për konfrontime mes vete", tha Isufi.
Ndërsa, Bilall Sherifi (Nisma) vlerësoi se programi i qeverisë nuk qëndron jashtë punës dhe aktiviteteve e synimeve të qeverisë, ndërsa duke u ndërlidhur me debatet që u zhvilluan sot në Kuvend nga deputetët opozitarë, kërkoi nga ta që ta mbajnë premtimin zgjedhor ashtu siç i kanë marrë edhe votat, duke shtuar se Nisma do të qëndrojë pranë pozicioneve që i ka pasur në të kaluarën.
Edhe Albert Kinolli (Grupi 6+), tha se programi qeverisës është program konkret dhe se është në interes të të gjitha komuniteteve dhe qytetarëve. Sipas tij, ky program i qeverisës e lë të besojë se politikat e tij rreth hapjes së vendeve të punës do të ndikojnë në përmirësimin e gjendjes ekonomike. Me këtë rast, ai përmendi edhe përkrahjen e qeverisë që duhet dhënë për nevojat e komunitetit rom, me theks të veçantë në çështjen e shëndetësisë.
Debati në Kuvend vijoi me diskutime të deputetëve të tjerë, të cilët ngritën çështje të shumta që lidheshin me aspekte përmbajtësore të programit të paraqitur, dhanë vlerësime pozitiva por adresuan edhe kritika.
Kryeministri Haradinaj disa herë dha sqarime përkitazi me problematikat e ngritura nga ana e deputetëve.
Seanca vazhdon të premten, në orën 11:00.