Lajmet e fundit

Nga seanca plenare e Kuvendit

E Marte, 05.12.2017




Mbledhja e sotme e Kuvendit të Republikës së Kosovës, e drejtuar nga Kadri Veseli, kryetar i Kuvendit, ( një pjesë është kryesuar nga nënkryetari Xhavit Haliti), filloi me pikën e parë të rendit te ditës, shqyrtimi i parë i Projektligjit për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2018.

Fillimisht fjalën e mori kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, i cili gjatë fjalës së tij, tha se, Projektligji i propozuar paraqet një dinamizëm të përshpejtuar në zhvillimin e ekonomisë së Kosovës.

Sipas tij, ekonomia e vendit në vitin 2018, do të rritet prej 4.6 për qind. Ai tutje vlerësoi se ekonomia po ecën drejt rritjes që do të ndikojë në hapjen e vendeve të reja të punës. Haradinaj theksoi se të hyrat do të jenë 1 miliardë e 829 milionë euro.

Ministri i Financave Bedri Hamza, ndërkaq, gjatë prezantimit të draft buxhetit për vitin 2018, tha se në përpilimin e këtij buxheti ka pasur konsulta me të gjitha palë e interesit. Sipas tij, ky buxhet është përgatitur në koordinim me FMN-në dhe gjithë akterët e tjerë relevant. Hmaza, po ashtu tha se, me këtë projektligj sigurohet stabiliteti financiar në Kosovë. Ai theksoi se do të punohet në favor të rritjes ekonomike, përkrahje të bizneseve private, rritje të pagave në sektorin publik, financim të projekteve kapitale, rritje të buxhetit në komunat e Kosovës etj. Në vijim ai shtoi se mbi 490 milionë euro do të jenë buxhetet komunale për vitin e ardhshëm.

Lumir Abdixhiku , kryetar i komisionit për buxhet dhe financa, tha se Projektligji për buxhet është shqyrtuar nga komisioni. Duke paraqitur qëndrimin e komisionit, ai tha se projektligji është përkrahur në parim nga komisioni, dhe Kuvendit i ka rekomanduar përkrahje në parim.

Deputeti Visar Ymeri, nga Lëvizja Vetëvendosje, tha se draft buxheti i vitit 2018, nuk ndryshon me atë të buxhetit paraprak. Ai u deklarua se VV-ja, nuk do ta votojë buxhetin për vitin 2018. Sipas Ymerit, të hyrat e parashikuara janë të fryra dhe joreale, kurse shpenzimet pritet të mbulohen nga borxhet.

Me pas, fjalën e mori deputeti, Avdullah Hoti nga LDK-ja i cili tha se, sipas analizave, struktura e buxhetit aktual degradon duke e kthyer situatën para vitit 2015. Sipas Hotit, ky buxhet ka rritjen me të vogël të të hyrave, me vetëm 6 për qind.

Buxheti është përkrahur dhe arsyetuar nga grupet parlamentare të pozitës, PDK, AAK dhe NISMA.

Grupi 6 + u deklarua se nuk do ta votoj këtë buxhet, meqë, nuk është specifikuar ndarja buxhetore sipas kategorizimit të çdo komuniteti pakicë.

Gjatë debatit, deputetja, Albulna Haxhiu, vlerësoi se projketligji nuk do të ndikojë në të mirë të sistemit të drejtësisë, por, sipas saj, përkundrazi do ta degradojë atë. Me këtë rast, ajo shprehu shqetësimin lidhur me mungesën e prokurorëve dhe gjyqtarëve.

Në emër të GP-të të LDK-së , foli deputeti Lumir Abdixhiku, i cili bëri të ditur se ky grup parlamentar nuk do të përkrah këtë Projektligj.

Pas vërejtjeve dhe kritikave lidhur me Projektligjin e buxhetit për vitin e ardhshëm nga ana e deputetëve të opozitës, ministri Hamza, sqaroi elemente përmbajtjesore duke e arsyetuar draftimin e këtij projektligji.

Debatit për buxhet vjetor me kërkesat dhe vërejtjet e tyre i kontribuuan edhe këta deputet: Rasim Selmanaj, Islam Pacolli, Driton Caushi, Mimoza Kusari-Lila, Megjide Mjaku-Topalli, Teuta Haxhiu, Besa Baftiu, Naser Rugova, Nezir Çoçaj, Bilall Sherifi, Rexhep Selimi, Armend Zemaj, Memli Krasniqi, Shkumbin Demalia, Smajl Kurteshi, Besa Gaxherri, Sala Shala-Berisha, Ahmet Isufi, Shqipe Pantina, Mirjeta Kalludra, Hajdar Beqa, Emilija Rexhepi, Liburn Aliu dhe Vjosa Osmani.

Lidhur me këtë projektligj është shprehur edhe ministri i Ministrisë së Drejtësisë, Abelard Thiri. Ai gjatë fjalës së tij tha se, me këtë Projekt buxhet, parashihet rritja më e madhe buxhetore që ka ndodhur deri me tani për sektorin e drejtësisë. Tahiri bëri të ditur se më këtë ndarje të buxhetit parashihet rritja e numrit të gjyqtareve dhe prokurorëve, Këshillit Gjyqësor dhe Prokurorial, rritja e stafit profesional, stafit mbështetës, rritje të numrit prej 690 punëtorëve etj. Tahiri i ftoi deputet që të përkrahet dhe votohet ky Projektligj.

Pas këtyre debateve, me propozimin e anëtarëve të grupeve parlamentare u vendos që seanca të ndërpritet, për të vazhduar nesër nga ora 10:00.

 

 

 

Nga seanca plenare e Kuvendit Nga seanca plenare e Kuvendit Nga seanca plenare e Kuvendit Nga seanca plenare e Kuvendit