Lajmet e fundit
Nga mbledhja e Komisionit për Punë të Jashtme
E Marte, 05.12.2017
Planet dhe politikat për promovimin e diasporës, si dhe fushëveprimtaria e ministrisë lidhur me investimet strategjike, ishin çështjet për të cilat raportoi sot në mbledhjen e Komisionit për Punë të Jashtme, Diasporë dhe Investime Strategjike, ministri i Ministrisë së Diasporës dhe Investimeve Strategjike, Dardan Gashi.
Kryetarja e Komisionit, Vjosa Osmani, pasi falënderoi ministrin Gashi për gatishmërinë e raportimit, foli për nevojën e mbështetjes së diasporës nga ana e institucioneve të vendit, me theks të veçantë atë të Ministrisë së Diasporës.
Ministri Gashi, ndërkaq, duke folur për angazhimin e tyre dhe bashkëpunimin me diasporën, ndër të tjera theksoi:" Angazhimi ynë do të konsistojë në krijimin e hapësirës vepruese për diasporën, në mënyrë që potencialet e saj profesionale dhe intelektuale të vihen në dispozicion të zhvillimit të vendit tonë".
Ai më pas tha se ministria që ai drejton, është e përkushtuar që diasporës t'i krijohet hapësira e nevojshme për të dhënë kontributin e saj në zhvillimin dhe fuqizimin e shtetit tonë. Me këtë rast, ministri përmendi edhe rolin e saj historik për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.
Në vijim të fjalës së tij, ai vuri në dukje edhe marrëveshjet e nënshkruara me Republikën e Shqipërisë, të cilat kanë për qëllim një angazhim të përbashkët ndërshtetëror për promovimin dhe avancimin e mundësive zhvillimore të diasporës.
Për sa i përket investimeve strategjike, ministri i Ministrisë së Diasporës dhe Investimeve Strategjike, Dardan Gashi, tha:" Në kuadër të kornizës ekzistuese ligjore për investimet strategjike, ekziston një mekanizëm i rëndësishëm për tërheqjen e investitorëve strategjik në përgjithësi, e në veçanti, të atyre që vijnë nga diaspora jonë".
Duke ditur potencialet e rëndësishme ekonomike të diasporës, si dhe dëshirën e tyre për të investuar në tregun e Kosovës, tha më tej ministri, ne do të krijojmë të gjitha mundësitë dhe do të eliminojmë barrierat ekzistuese që investitorët strategjik nga diaspora të jenë pjesë aktive e investimeve strategjike.
Në këtë kontekst, sqaroi ai më pas, Ministria e Diasporës, në bashkëpunim me MTI-në dhe mekanizmat e tjerë institucional, do të hartojmë projekte potenciale në të cilat diaspora do të mund të investojë.
Pas kësaj, ministri Gashi u është përgjigjur pyetjeve dhe shqetësimeve të anëtarëve të komisionit.