Lajmet e fundit

Në ambientet e Kuvendit u zhvilluan aktivitete senzibilizuese për parandalimin e dhunës ndaj grave

E Mërkure, 29.11.2017




Në kuadër të 16 Ditëve të Aktivizmit kundër dhunës në baza gjinore, sot, në hollin e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Grupi Grave Deputete, në bashkëpunim me QKRMT-në dhe Qendrën për promovimin e drejtave të grave, zhvilloi aktivitet në funksion të ndërgjegjësimit dhe të nxitjes së veprimeve për t'i dhënë fund dhunës ndaj grave dhe vajzave në mbarë botën.

Këtij aktiviteti senzibilizues ju bashkëngjitën edhe deputetë të Kuvendit, anëtarë të qeverisë dhe ambasadore të shteteve të ndryshme e përfaqësues të shoqërisë civile, të cilët shprehën gatishmërinë e tyre për mbështetje, për t'i dhënë fund dhunës ndaj grave dhe vajzave.

Deputetja Blerta Deliu-Kodra u shpreh e shqetësuar lidhur me dukurinë e dhunës ndaj grave, e cila, sipas saj, është në rritje. Ajo u bëri thirrje institucioneve përkatëse që të punojnë në parandalimin e kësaj dukurie, duke i respektuar ligjet në fuqi.

Feride Rushiti, drejtoreshë e Qendrës Kosovare për Rehabitimin e të Mbijetuarave të Torturës, gjatë fjalës së saj, tha se rastet e shpeshta të dhunës ndaj grave disa herë kanë përfunduar me fatalitet, prandaj ajo kërkoi që të merren masa për të parandaluar këtë dukuri.

Lirije Kajtazi, deputete në Kuvendin e Republikës së Kosovës, shprehu solidarizimin e saj ndaj përpjekjeve për parandalimin e dhunës së grave, ngase, siç tha ajo, kjo kategori përfaqëson pjesën me të ndjeshme të shoqërisë.

Përfaqësuesja e lartë e komisionit evropian, Natalia Apostolova, tha se do të jetë çdo herë në përkrahje të parandalimit të dhunës ndaj grave. Ajo inkurajoi gratë që i janë ekspozuar dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë, që të aplikojnë për beneficionet të cilat u takojnë.

 

Në ambientet e Kuvendit u zhvilluan aktivitete senzibilizuese për parandalimin e dhunës ndaj grave