Lajmet e fundit
Sekretari Krasniqi priti një grup gazetarësh japonezë
E Mërkure, 15.11.2017
Një grup gazetarësh të mediave të ndryshme të Japonisë, vizituan sot Kuvendin e Republikës së Kosovës. Gjatë qëndrimit të tyre në mjediset e legjislativit, gazetarët japonezë u pritën nga sekretari i përgjithshëm i Kuvendit, Ismet Krasniqi.
Gjatë fjalës së tij, sekretari Krasniqi i njohu mysafirët me funksionet kushtetuese të Kuvendit, rolin, punën dhe përbërjen e tij, ndërsa u ndal në çështje të rëndësishme të punës së përditshme, që lidheshin me mënyrën e vendimmarrjes.
Krasniqi foli po ashtu për mënyrën e përfaqësimit politik në Kuvend, për rolin e trupave të Kuvendit, si dhe hapësirën që gëzojnë në vendimmarrje përfaqësuesit e komuniteteve pakicë, konform Kushtetutës dhe ligjeve.
Gazetarët japonezë, nga ana e tyre, shfaqen interesim për zhvillimet në Kosovë dhe aspekte të ndryshme të punës së përditshme të Kuvendit.