Lajmet e fundit

Nga mbledhja e Komisionit për Buxhet dhe Financa

E Marte, 14.11.2017




Komisioni për Buxhet dhe Financa, në mbledhjen e sotme, të kryesuar nga kryetari Lumir Abdixhiku, shqyrtoi dhe përkrahu disa projektligje.

Kështu, komisioni i dha mbështetje Projektligjit për Ratifikimin e Marrëveshjes Financiare për financim shtesë për Projektin për bujqësi dhe zhvillim rural ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim, si dhe Projektligjit për Ratifikimin e Marrëveshjes Financiare për Projektin e konkurueshmërisë dhe gatishmërisë për eksport ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim.

Duke folur për Projektligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes Financiare për financim shtesë për Projektin për bujqësi dhe zhvillim rural ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim, ministri i Financave, Bedri Hamza, tha se me këtë projektligj do të ketë rritje të kapaciteteve rurale, e cila do të ndihmojë në zhvillimin rural, pasi që, sipas tij, projekti ndihmon në rritjen e aftësive konkurruese të produkteve vendore.

Po ashtu, u përkrah në parim edhe Projektligji mbi masat doganore për mbrojtjen e të drejtave të pronësisë intelektuale.

Mbështetjen e anëtarëve të komisionit e mori edhe Raporti vjetor i Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës për vitin 2016, si dhe kërkesa e Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës për miratimin e taksave vjetore, për vitin 2017.

 

Nga mbledhja e Komisionit për Buxhet dhe Financa