Lajmet e fundit
Nga mbledhja e Komisionit për Mbikëqyrje të Financave Publike
E Enjte, 09.11.2017
Në mbledhjen e Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike, të kryesuar nga kryetari Driton Selmanaj, u shqyrtua Raporti vjetor për funksionimin e sistemit të kontrollit të brendshëm të financave publike në sektorin publik të Kosovës, për vitin 2016.
Fillimisht raporti u prezantua nga drejtori i Njësisë Qendrore Harmonizuese për Auditimin e Brendshëm në Ministrinë e Financave, Kosum Aliu, ndërkaq në çështjet që u ngritën nga anëtarë të Komisionit përgjigjje ka dhënë edhe zv/ministri i Ministrisë së Financave, Fatmir Gashi.
Gjatë këtij takimi, u shfaqën shqetësime të shumta nga anëtarë të Komisionit lidhur me këtë raport. Me theks të veçantë, debat i gjerë me përfaqësues të MF-së u zhvillua rreth pavarësisë së auditorëve të brendshëm, çështjes së llogaridhënies së organizatave buxhetore dhe për moszbatimin e rekomandimeve të Auditorit të Përgjitshëm nga organizatat buxhetore. Po ashtu, u përmend edhe mos menaxhimi i drejtë i financave publike nga këto organizata, ndërkaq tutje u kërkuan sqarime të shumta rreth certifikimit të auditorëve dhe pyetësorit të vetëvlerësimit.
Komisioni diskutoi veç tjerash rreth gjetjes së mekanizmave për implementim të rekomandimeve të Auditorit.
Pas këtij diskutimi, Komisioni rekomandoi që duhet të ndërmirren masa lidhur me formularët e vetëvlerësimit për institucionet që nuk i kanë plotësuar obligimet ligjore, si dhe të ketë ngritje të kapaciteteve dhe mbajtje të trajnimeve për auditorë të brendshëm nga Njësia Qëndrore Harmonizuese. Po ashtu, u rekomandua që të ketë përcjellje të zbatimit të rekomandimeve dhe që Njësia Qëndrore Harmonizuese të raportojë për kualitetin e vetëvlerësimit dhe të saktësohen informacionet.
Me këtë rast, raporti me rekomandimet e Komisionit u miratua për procedim në séancë.
Komisioni, po ashtu ka përkrahur edhe Planin e punës së Komisionit, për vitin 2017.