Lajmet e fundit
Mbledhja e Komisionit për Buxhet
E Mërkure, 08.11.2017
Komisioni për Buxhet dhe Financa, në mbledhjen e sotme të kryesuar nga Lumir Abdixhiku, kryetar, shqyrtoi tri raporte, si dhe kërkesën e Qeverisë së Kosovës për konsultim, lidhur me vendosjen e normës së tatimit të akcizës.
Raportet e shqyrtuara gjatë kësaj mbledhjeje janë: Raporti vjetor financiar i Buxhetit të Republikës së Kosovës për vitin 2016, të cilin para komisionit e paraqiti ministri i Ministrisë së Financave, Bedri Hamza, Raporti vjetor i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQRK), për vitin 2016, i paraqitur nga ushtruesi i detyrës së guvernatorit, Fehmi Mehmeti, si dhe Raportin financiar i Avokatit të Popullit për vitin 2016, të cilin e paraqiti udhëheqësi i këtij institucioni, Hilmi Jashari.
Pas shqyrtimit, këto raporte u miratuan nga komisioni, ndërkaq, është shtyrë për mbledhjen e radhës shqyrtimi i Raportit financiar të Autoritetit Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare për vitin 2016.
Më pas, komisioni shqyrtoi kërkesën e Qeverisë së Kosovës për konsultim, lidhur me vendosjen e normës së tatimit të akcizës.
Lidhur me këtë, ministri i Financave, Hamza, vuri në pah nevojën e miratimit të kësaj kërkese, e cila sipas tij do të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në zhvillimin e prodhimtarisë vendore.
Ministri Hamza, po ashtu sqaroi se me përkrahjen e kërkesës së Qeverisë, prodhuesit vendorë, gjatë importit të lëndëve djegëse, e që kanë si burim të energjisë naftën, mazutin dhe gazin, do të lirohen nga tatimi i akcizës.
Pas shqyrtimit të kësaj kërkese, komisioni vendosi që ta përkrahë atë.
Në fund të kësaj mbledhjeje, është shqyrtuar dhe përkrahur po ashtu edhe propozimi i Komisionit për përzgjedhje të anëtarëve të Bordit Drejtues të Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës.