Lajmet e fundit

Nga mbledhja e Komisionit për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale

E Mërkure, 08.11.2017




Komisioni për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale, në mbledhjen e sotme kishte të ftuar Andrew Russell, koordinator për zhvillim i Kombeve të Bashkuara dhe përfaqësues rezident i UNDP në Kosovë.

Mbledhja u drejtua nga kryetarja e komisionit, Besa Baftiu, e cila pas prezantimit e ftoi z Andrew Russell për informimin me objektivat e OKB-së dhe përfshirjen e gjithanshme të Kosovës në frymën e globalizimit.

Z. Russell, në fjalën e tij u përqendrua kryesisht në pjesën globale duke theksuar se Kosova është pjesë e kësaj përfshirje. Mileniumi i ri, siç konsiderohet në frymën globale e ka shfaqur programin e vet që në vitet 2000, ku edhe Kosova është e përfshirë si pjesë e globalizmi dhe ka përkrahur objektivat kryesore të saj.

Duke ndërtuar ligje dhe përshtatur ligje e programe, Kosova është e interesuar që të fokusohet në të 17-të objektivat e globalizmit, theksoi Russell. Qëllimet e globalizmit nuk janë garuese, theksoi ndër të tjera z. Russell, por përfshirje e drejtpërdrejtë e vendeve në këto objektiva si; mbrojtja e natyrës, ndryshimet klimatike, zhvillimi shëndetësor, sigurimet për një jetë të shëndetshme, sigurimi i arsimimit gjithëpërfshirës, sigurimi i barazisë gjinore etj., për të cilat Kosova ka hedhur hapa të mëdha.

Deputetët, anëtarë të Komisionit për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale e falënderuan z. Russell për fjalën e tij dhe e siguruan se në frymën e bashkëpunimit dhe vullnetit për të çuar përpara Kosovën, me punën e tyre si deputetë, do të vijojnë punën për gjithëpërfshirjen e objektivave globale të Mileniumit të ri.

 

 

Nga mbledhja e Komisionit për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale