Lajmet e fundit
Nga mbledhja e Komisionit për Zhvillim Ekonomik...
E Marte, 07.11.2017
Prioritetet e Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, ishin çështjet për të cilat raportoi sot në mbledhjen e Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti, Industri dhe Zhvillim Rajonal, i pari i kësaj ministrie, Bajram Hasani.
Në fillim të takimit, kryetarja e Komisionit, Sala Berisha- Shala, u shpreh e sigurt në një bashkëpunim të ngushtë ndërmjet Komisionit dhe kësaj ministrie. Ajo u shpreh se mbështetja e komisionit për këtë ministri do të jetë e pakursyer, me qëllim të arritjes të një suksesi sa më të lartë në të mirë të qytetarëve.
Ndërkaq, ministri Bajrami, duke paraqitur programin e kësaj ministrie për periudhën 2017-2021, tha se masat e parapara për vitet 2017-2021, janë të rëndësishme, ngase kanë të bëjnë me zotimin e ministrisë që të implementojë politikat më rigoroze në mbështetje të ndërmarrjeve, duke përmirësuar edhe më tej ambientin e të bërit biznes, si dhe promovimin dhe nxitjen e zhvillimit ekonomik.
Me këtë plan, vijoi ministri, synohet zhvillimi i qëndrueshëm ekonomik në sektorin privat, duke adresuar edhe çështjet, siç janë: përkrahja e zhvillimit të ndërmarrjeve të vogla dhetë mesme, nxitja e investimeve të huaja dhe promovimi i tyre, nxitja e infrastrukturës së cilësisë, përmirësimi i mbikëqyrjes së tregut dhe mbrojtja e konsumatorit, si dhe zhvillimi i mëtejmë i politikave tregtare. Po ashtu, ai qartësoi se plani për këtë periudhë kohore parasheh investimeve dhe ngritjen e bashkëpunimin me diasporën dhe vendet e tjera, shtimin e mëtutjeshëm të aktiviteteve promovuese, zhvillimin dhe promovimin e turizmit, përmirësimin e infrastrukturës ligjore etj.
"Programi orientohet në gjashtë qëllime kryesore: zhvillimin e konkurrencës në sektorin privat, inkurajimin e investimeve dhe eksportit nëpërmjet fuqizimit të kapaciteteve, zhvillimin dhe promovimin e infrastrukturës së cilësisë, mbikëqyrjen e tregut, avancimin e mëtejmë të politikave tregtare, mbrojtjen e produkteve vendore dhe rritjen e rezervave shtetërore të mallrave", theksoi ministri Bajrami.
Më pas, ai iu përgjigj pyetjeve dhe shqetësimeve që ngritën anëtarët e komisionit, të cilët po ashtu u shprehën për një bashkëpunim të ngushtë. Pas kësaj, Komisioni shqyrtoi dhe përkrahu në parim edhe këto projektligje: Projektligjin për shoqëritë tregtare dhe Projektligjin për standardizim.
Në këtë mbledhje, komisioni përkrahu edhe Raportin e ARKEP-it për vitin 2016, për të cilin debati është zhvilluar në mbledhjen e kaluar.
Po sot, komisioni formoi edhe grupin punues për monitorimin e Ligjit për energjinë elektrike.