Lajmet e fundit
Nga mbledhja e Komisionit për Punë të Jashtme
E Marte, 07.11.2017
Komisioni për Punë të Jashtme, Diasporë dhe Investime Strategjike, në bashkëpunim me Institutin Demokratik të Kosovës (KDI), nën kryesimin e kryetares Vjosa Osmani, mbajti sot takimin e dytë koordinues me kryetarë të komisioneve parlamentare të Kuvendit.
Me këtë rast, kryetarët e komisioneve: LumirAbdigjiku, Komisioni për Buxhet dhe Financa, Blerta Deliu-Kodra, kryetare e Komisionit për Integrime Evropiane, Albulena Haxhiu, kryetare e Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit, Besa Baftiu, kryetare e Komisionit për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale, Haxhi Shala, kryetar i Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e FSK-së,Ismajl Kurteshi, kryetar i Komisionit për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini, Sporte, Inovacion dhe Ndërmarrësi, Sala Berisha- Shala, kryetare e Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti, Industri dhe Zhvillim Rajonaldhe Driton Selmanaj, kryetar i Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike, diskutuan lidhur me procesin e dialogu Kosovë- Serbi.
Gjatë debatit lidhur me këtë çështje, kryetarët e komisioneve vunë në dukje nevojën e një transparence më të madhe nga ana e Qeverisë lidhur me dialogun, si dhe domosdoshmërinë që Kuvendi të ketë rol më aktiv gjatë këtij procesi.
Duke pasur parasysh se dialoguështë duke hyrë në fazën e tij më të ndjeshme, disa nga kryetarët vlerësuan se rrjedha e mëtejme e këtij procesi duhet definuar sipas një rezolute të re të Kuvendit.
Përfaqësuesja e KDI-së, Jeta Krasniqi, po ashtu ishte e mendimit dialogu është duke u zhvilluar në mënyrë jotransparente. Ajo vuri në pah se marrëveshjet e arritura nuk kanë ndikuar në të mirë të gjendjes së qytetarëve, ndërkaq bëri thirrje që komisionet të jenë më aktive dhe të marrin rol më të fuqishëm në këtë proces.
Pas konstatimit se procesit i ka munguar një transparencë e kënaqshme, në vijim debati u zhvillua në kërkim të gjetjes së një angazhimi konkret të komisioneve.
Lidhur me këtë, kryetarët e komisioneve u dakorduan që kjo temë të elaborohet në mbledhje të veçanta në komisionet përkatëse dhe qëndrimet e tyre të paraqiten në takimet e radhës sikurse ky i sotmi.