Lajmet e fundit

Nga mbledhja e Komisionit për Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media

E Mërkure, 01.11.2017




Komisioni për Administratë Publike, Qeverisje Lokale, dhe Media, mbajti mbledhjen e radhës, të drejtuar nga Nait Hasani, kryetar, për të diskutuar lidhur me nismën për hartimin e Projektligjit për Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil.

Në këtë takim, të ftuar ishin edhe kryetari i këtij Këshilli, Shkëmb Manaj, i shoqëruar nga anëtari i tjetër, Hajzer Salihu. Kryetari Manaj prezantoi një rezyme të shkurtër të procesit ndryshimit të ligjit. Ai theksoi se ligji për KPMSHC-në, i cili ka hyrë në fuqi në shtator te vitit 2010, ka nevojë të ndryshohet dhe plotësohet, pasiqë, sipas tij, është vlerësuar e nevojshme të shtohen disa dispozita të reja. Lidhur me këtë ai tha se Këshilli, në konsultim me komisionin në legjislaturën e kaluar, ka përgatitur draftin fillestar të projektligjit. Manaj bëri të ditur se ligji i ri duhet të shkojë në procedurë nga Kuvendi dhe jo nga Qeveria. Sipas tij, me ligjin e ri, përcaktohen kompetencat e Këshillit, të kryetarit dhe të anëtarëve të Këshillit, ndryshohen kriteret për zgjedhjen e anëtarëve të këshillit, e drejta e mandatit të këshillit etj.

Lidhur me funksionet e Këshillit, Manaj tha se është shtuar e drejta e Këshillit që të vëzhgojë dhe vlerësojë për pozitat e larta, në mënyrë që të jenë në pajtim me ligjin.

Anëtarët e komisionit, në bashkëpunim me përfaqësuesit e Këshillit, filluan shqyrtimin e projektligjit nen për nen.