Lajmet e fundit

Nga mbledhja e Komisionit për Legjislacion…

E Mërkure, 01.11.2017




Në mbledhjen e Komisionit për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e
Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit, i kryesuar nga
kryetarja e komisionit, Albulena Haxhiu, para fillimit të shqyrtimit të rendit të
ditës, Komisioni fillimisht shqyrtoi shkresën e anëtarit të Komisionit, Glauk
Konjufca, drejtuar Komisionit.
Me këtë rast, Konjufca paraqiti shkresën e Grupit Parlamentar të Lëvizjes
Vetëvendosje që ka të bëjë me hapësirat e këtij grupi parlamentar në ndërtesën e
Kuvendit. Ai sqaroi se ky grup parlamentar funksionon në një zyre me hapësirë të
vogël, ndërsa shtoi se bazuar në praktikat e mëhershme parlamentare, Lëvizja
Vetëvendosje duhet t'i gëzojë të drejtat e tyre për akomodim në hapësirën më të
madhe në këtë ndërtesë, krahasuar me grupet tjera parlamentare, sipas Rregullores
së Kuvendit.
Përkitazi me këtë ai kërkoi nga Komisioni interpretim të Rregullores së Kuvendit.
Pas një diskutimi të gjerë të deputetëve lidhur me këtë çështje, Komisioni mori në
konsideratë kërkesën e Konjufcës dhe konstatoi se kërkesa parimisht për hapësirë
konsiderohet e drejtë dhe me shumicë votash kërkoi nga Kryesia e Kuvendit që të
respektohet neni 15, pika 13 dhe neni 20, pika 6 e Rregullores për ndarjen e
hapësirave, duke marrë në konsideratë praktikat e mëhershme.
Në vijim, Komisioni përkrahu raportin e Institutit Gjyqësor të Kosovës, për vitin
2016 dhe e procedoi për shqyrtim dhe miratim më seancë plenare. Mbështetjen e
komisionit e morën po ashtu, edhe dy projektligje: Projektligji për ndryshimin  dhe
plotësimin e Ligjit për procedurën jokontestimore dhe Projektligji për plotësimin
dhe ndryshimin e Ligjit për trashëgiminë në Kosovë, të cilat iu rekomanduan
seancës për miratim në parim.