Lajmet e fundit
Mbledhja e Komisionit për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale
E Mërkure, 01.11.2017
Në mbledhjen e sotme, Komisioni për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale, nën drejtimin e Besa Baftiu, kryetare, pikë kryesore kishte takimin me ministrin e Punës dhe Mirëqenie Sociale, Skënder Reçica, për informimin mbi strategjinë e punës dhe objektivat e kësaj ministrie.
Ministri Reçica prezantoi strategjinë dhe objektivat e punës së tij si ministër, brenda programit të Qeverisë, si dhe sfidat që janë shtruar para kësaj ministrie. Ndër to, ai përmendi monitorimin e zbatimit të Ligjit të punës, krijimin e politikave nxitëse të punësimit, përgatitjen e pakove ligjore për një kategorizim më të mirë të shtresave sociale, vendosjen e standardeve për sigurinë në punë etj.
"Edhe pse buxheti është jo i madh në krahasim me problematikën e kësaj ministrie, për vitin 2018 i kemi të mbuluara me buxhet të gjitha shtresat sociale në nevojë, të cilat janë të mbuluara me ligj, si edhe shtresën e viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës. Gjithashtu jemi duke rivlerësuar dhe përpunuar Ligjin e punës, i cili do të ketë ndryshime të mëdha nga ligji ekzistues", theksoi ministri Reçica.
Të gjithë anëtarët e Komisionit, me radhë ngritën probleme të shumta si: problemin e sigurisë në punë, problemet e mëdha të shtresave të ndryshme sociale, si dhe përfshirjen e tyre ne rritjen e pagesave për vitin 2018, shtresën e kategorisë me aftësi të kufizuar, vlerësimin e lehonisë si prioritet i kujdesit për rritjen e fëmijëve, trajtimin e marrëveshjeve të ndryshme që Kosova ka me shtetet e tjera për fondet pensionale me shtetet si Zvicra, Austria.
Me shtetet si Sllovenia, Serbia, Kroacia dhe Maqedonia, si ish-pjesë e Jugosllavisë së dikurshme, Kosova ndihet e diskriminuar, theksoi deputetja Flora Brovina, për faktin se, siç tha ajo, Kosova nuk ka trashëguar fondin e vjedhur pensional nga Serbia, por ka trashëguar numrin dhe listat e pensioneve që kanë punuar dikur.
Ministri Reçica, duke vlerësuar lart seriozitetin dhe vlerësimin e drejtë të situatës, falënderoi deputetët, anëtarë të Komisionit për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale dhe i siguroi ata për një bashkëpunim të ngushtë në vazhdimësi.