Lajmet e fundit
Nga mbledhja e Komisionit për Legjislacion
E Marte, 27.11.2018
Sot u mbajt mbledhja e radhës e Komisionit për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit, kryesuar nga kryetarja komisionit Albulena Haxhiu.
Në fillim të mbledhjes, nga kryetarja Haxhiu u propozua që të shtohen edhe dy pika për rendin e ditës, e para ishte miratimi i pakos së ligjeve për Forcën e Sigurisë së Kosovës, e cila gjeti mbështetje edhe nga antarët e tjerë të komisionit, dhe e dyta të shqyrtohet greva e Gjykatës Themelore në veri, që nuk u mbështet nga antarët e komisionit, shkak ishte mungesa e informatave zyrtare.
Me fillimin e rendit të ditës të planifikuar për sot, u shqyrtuan propozimet me kandidatët për anëtarë të Këshillit për Ndihmë Juridike Falas. Pas diskutimeve mes antarëve të komisionit u votua që për seancë të dërgohet verzioni i cili ka ardhur në komision me vërejtje për disa kandidatë që nuk kanë plotësuar kushtet. Kryesisht kanididatët e propozuar nga Ministria për Komunitete dhe Kthim, si dhe kandidatët nga organizata të jo-qeveritare.
Shqyrtimi i Raportit me amendamente i Komisionit Funksional për Projektligjin nr. 06/L-092 për dhënien në shfrytëzim dhe këmbimin e pronës së paluajtshme të komunës, si pikë e rendit të ditës u shty për shqyrtim në mbledhjen e radhës për shkak të disa paqartësive. Ndërsa, pikat tjera si: shqyrtimi i Raportit me amendamente i Komisionit Funksional për Projektligjin nr.06/L-116 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 05/L-090 për sponzorizime në fushën e kulturës, rinisë dhe sportit u miratua nga komisioni së bashku me një amandament.
U miratu për proceduar të mëtutjeshme edhe raporti me amendamente i Komisionit Funksional për Projektligjin nr.06/L-073 për statusin e punëtorëve të arsimit shqip të Republikës së Kosovës nga viti shkollor 1990/91 deri në vitin shkollor 1998/99, Raporti me tre amendamente i Komisionit Funksional për Projektligjin nr.06/L-115 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 2003/24, Ligji i sportit ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin nr. 04/L-075 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 2003/24 për sport, si dhe u konstatua se raporti me amendamente i Komisionit Funksional për Projektligjin nr.06/L-118 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 05/L-075 për parandalimin dhe sanksionimin e dhunës dhe dukurive negative në ngjarjet sportive ka pasur harmonizim me ligjin për kundërvajtje dhe u miratua për procedurë të mëtejme.
Tek pika, të ndryshme, e rendit të ditës, ndërkaq, u bë votimi i pakos së projektligjeve për FSK-në: Projektligji për Ministrinë e Mbrojtjes, Projektligji për Forcën e Sigurisë së Kosovës, si dhe ai për Shërbimin në Forcën e Sigurisë së Kosovës, që me shumicën e votave për, këto projektligje së bashku me amendamente u përkrahën nga komisioni dhe u proceduan për shqyrtim të mëtejmë në Kuvend.
Në fund të mbledhjes u formua dhe u aprovua një grup punues me antarët e komisionit për të zhvilluar punimet në projektligjin për referendum.