Lajmet e fundit
Veseli: Nuk do të lejojmë cenimin e Kosovës nga Serbia
E Premte, 23.11.2018
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka thënë se vendimet e fundit të shtetit të Kosovës kanë për synim të ndalin destruktivitetin e liderëve institucional të Serbisë kundër Kosovës.
Në një konferencë për gazetarë, Kryeparlamentari Veseli theksoi se vendimet e shtetit të Kosovës janë janë legjitime, legale dhe transparente. Vendimet e institucioneve të Kosovës, sipas Veselit, nuk duhet assesi të interpretohen si vendime të drejtuara ndaj një komuniteti të caktuar.
"Republika e Serbisë, lidershipi i saj, duhet ta kuptojë se politika e urrejtjes, bllokimit dhe provokimit ndaj Kosovës është duke rrezikuar stabilitetin rajonal. Është kundër frymës së dialogut të proklamuar. Kjo politikë nuk i ndihmon bashkëjetesës mes shqiptarëve, serbëve dhe komuniteteve tjera në Kosovë. Ka ardhur koha që të ndalen provokime të tilla", tha Veseli.
Më tutje, Kryeparlamentari Veseli tha se nuk do të lejojnë veprime që mund të shkaktojnë pasiguri ose jo stabilitet në vendin tonë.
"Nuk do të lejojmë cenimin e sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës. Nuk do të lejojmë veprime që kërcënojnë shqiptarët, serbët dhe komunitetet tjera në veri të vendit. Nuk do të lejojmë veprime që cenojnë bashkëqytetarët tanë serbë kudo që jetojnë në Kosovë", tha Veseli.
Ai u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve që të kenë besim në institucionet e Kosovës dhe të mos bien pre e provokimeve dhe gjuhës së urrejtjes.
"Kosova është e angazhuar që të zgjidhë problemet me Serbinë në mënyrë konstruktive, përmes dialogut dhe mirëkuptimit. Por, kjo nuk do të thotë se ne do të tolerojmë pafundësisht synimet destruktive ndaj shtetit tonë apo përpjekjet për të tensionuar çdoherë gjendjen në Kosovë. E ardhmja e Kosovës dhe e gjithë rajonit është integrimi në Bashkimin Evropian. Republika e Kosovës është e angazhuar që të garantojë stabilitet, sundim të ligjit në çdo pjesë të territorit të vet. Shteti i Kosovës do të respektojë plotësisht obligimet ndërkombëtare që ka marrë. Gjithashtu, institucionet e Kosovës do të funksionojnë dhe veprojnë në përputhje të plotë me Kushtetutën e Kosovës dhe ligjet në fuqi", tha kreu i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli.