Lajmet e fundit

Nga mbledhja e Komisionit për Bujqësi...

E Marte, 06.11.2018




Komisioni për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Mjedis e Planifikim Hapësinor, kryesuar nga Muharrem Nitaj, kryetar, të ftuar për raportim lidhur me gjendjen aktuale të komplekseve memoriale, kishte drejtorin e Agjencionit për Mbikëqyrjen e Komplekseve Memoriale në Kosovë, Bislim Zogaj.

 

Drejtori i AMKMK-së, Bislim Zogaj, para komisionit prezantoi në mënyrë të përgjithshme prioritet dhe planet e agjencionit që drejton ai.

Gjatë prezantimit, ai paraqiti shqetësimin e tij lidhur me numrin e madh të memorialëve që nuk janë mirëmbajtur përgjatë viteve të mëparshme. Prioritet, sipas Zogajt, agjencioni do ta ketë Kompleksin Memorial "Adem Jashari", meqë, siç theksoi ai, gjendja e kullave të rezistencës është e rëndë.

Lidhur më këtë, ai bëri të ditur se me aprovimin e Ligjit për Kompleksin "Adem Jashari", Agjencioni do të angazhohet maksimalisht që sa më parë të fillojnë punimet në kompleks, në mënyrë që të mbrohen nga rrënimi objektet e këtij monumenti historik.

Po ashtu, ai bëri të ditur se do të zgjidhen shumë probleme të mirëmbajtjes së monumenteve, si dhe do të zhvillohen projekte të reja gjithëpërfshirëse.

Anëtarët e komisionit, nga ana e tyre, shtruan një varg çështjesh dhe problematikash, që ka nën menaxhim kjo agjenci, siç janë: raportet financiare, numri i komplekseve që menaxhon agjencioni, nevoja për auditim financiar për çdo memorial, projekti i shtëpisë së veprimtarit "Ukshin Hoti ", përfshirja në një listë e të gjitha memorialeve etj.

Gjatë mbledhjes së sotme, komisioni shqyrtoi dhe përkrahu për procedim të mëtejmë në Kuvend Projektligjin për Mbrojtjen nga Zhurmat, si dhe Projektligjin për Krijimin e Infrastrukturës Kombëtare të Informacionit Hapësinor në Republikën e Kosovës.

 

Nga mbledhja e Komisionit për Bujqësi...