Lajmet e fundit
Komisioni për Zhvillim Ekonomik...
E Marte, 30.10.2018
Realizimi i Planit të punës së këtij viti dhe planifikimet për vitin e ardhshëm, me theks të veçantë për grantet dhe subvencionet, ishin çështjet për të cilat ka raportuar sot në mbledhjen e Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti, Industri dhe Zhvillim Rajonal, ministri i Ministrisë së Zhvillimit Rajonal, Rasim Demiri.
Takimi është kryesuar nga Sala Berisha- Shala, kryetare e Komisionit, e cila falënderoi ministrin për gatishmërinë e tij që të njoftoi për punën dhe angazhimet e tyre, dhe më pas vuri në dukje rëndësinë e bashkëpunimit të ndërsjellë.
Ministri Demiri, ndërkaq, gjatë raportimit të tij u fokusua në dy çështje, për të cilat vlerësoi ai, përbëjnë angazhimin kryesor të ministrisë.
Këto çështje, vijoi ministri Demiri, janë subvencionet dhe grantet e ministrisë, të cilat janë ndarë dhe menaxhuar me kujdes prej tyre.
Lidhur me grantet, ministri bëri të ditur se nga buxheti i përgjithshëm i ministrisë, e që arrin në 4. 6 milionë euro, më se gjysma e kësaj shume është orientuar në grante investive. Këto investime, sqaroi ai më pas, janë realizuar duke u bazuar në një program zhvillimor, i cili përfshinë tërë vendin, të ndarë në 5 zona ekonomike. Ai po ashtu theksoi, se, nga grantet e kësaj ministrie, kanë përfituar 20 komuna, të cilat paraprakisht kanë paraqitur dhe arsyetuar projektet e tyre kapitale.
Për sa u përket subvencioneve, i pari i Ministrisë së Zhvillimit Rajonal, tha se, ato arrijnë shumën në 1. 4 milionë euro, nga të cilat kanë përfituar 128 ndërmarrje që ushtrojnë veprimtari të ndryshme biznesore.
Nga këto investime, sqaroi ministri më pas, janë hapur 608 vende pune. Ky numër i të punësuarve bëri të ditur pastaj ministri, është verifikuar edhe nëpërmjet ATK-së.
Duke folur për planet e ministrisë, ai u shpreh i bindur se buxheti për vitin e ardhshëm do të jetë më i lartë, dhe me këtë tha ai, do të arrihet një zhvillim edhe më i madh, duke krijuar po ashtu edhe më shumë vende të reja pune.
Pas kësaj, ministri dhe bashkëpunëtorët e tij iu janë përgjigjur edhe pyetjeve të anëtarëve të komisionit, të cilët po ashtu dhanë edhe një sërë rekomandimesh.