Lajmet e fundit
Mbledhja e Komisionit për Buxhet
E Premte, 26.10.2018
Komisioni për Buxhet dhe Financa, në mbledhjen e sotme të kryesuar nga Lumir Abdixhiku, kryetar, shqyrtoi disa projektligje, si dhe kërkesën e Qeverisë së Kosovës për konsultim me Komisionin për Buxhet dhe Financa, lidhur me Vendimin e Qeverisë për ndryshimin e normës së tatimit të akcizës.
Vendimin e Qeverisë, para komisionit e paraqiti zv/ministri i Ministrisë së Financave, Fatmir Gashi. Me këtë rast, ai tha se lidhur me normën e akcizës të propozuar nga Qeveria, janë bërë një varg studimesh dhe konsultimesh, ndërkaq, bazuar në praktikat e shteteve të BE-së dhe të rajonit, ky propozim u është përshtatur interesave të bujqve vendor.
Anëtarët e komisionit, gjatë diskutimeve lidhur me këtë çështje, ngritën dilemat nëse vendimi është i harmonizuar me Marrëveshjen e MSA-së, ndërkaq, lidhur me këtë, nga zv/ministri Gashi kërkuan sqarimet e nevojshme.
Përfaqësuesi i Qeverisë, përkatësisht zv/ministri i Ministrisë së Financave, Gashi, duke iu përgjigjur interesimit të deputetëve sqaroi se, vendimi i Qeverisë përkon me interesat e shteteve të BE-së, mbështetur në nenin 43 të Marrëveshjes së MSA-së.
Pas kësaj, kryesuesi e hodhi në votim marrëveshjen e propozuar nga Qeveria.
Me këtë rast, rezultoi që 5 nga deputetët të jenë për dhe 5 që abstenuan, prandaj, lidhur me rezultatin e këtij votimi, kryetari i komisionit, Abdixhiku, kërkoi që të konsultohet Zyra Ligjore e Kuvendit.
Në vijim, komisioni shqyrtoi dhe përkrahu edhe Projektligjin nr.06/L-007 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.03/L-007 për procedurën jokontestimore me amendamente të Komisionit për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit, Projektligjin nr.06/L-008 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.2004/26 për trashëgiminë në Kosovë me amendamente të Komisionit për Legjislacion, si dhe Projektligjin për familjen.