Lajmet e fundit
Nga mbledhja e Komisionit për Legjislacion...
E Marte, 16.10.2018
Sot u mbajt mbledhja e radhës e Komisionit për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit, të cilën e drejtoi kryetarja e këtij komisioni, Albulena Haxhiu.
Komisioni hapin diskutimin për Projektligjin për referendum, të iniciuar nga Partia Social-Demokrate.
Gjatë diskutimeve, deputetët vlerësuan se projektligji është mjaft specifik dhe i domosdoshëm.
Komisioni e procedoi atë për shqyrtim në seancë plenare.
Në vazhdim, komisionit iu bashkëngjit Avokati i Popullit, Hilmi Jashari, për të shpalosur raportin e hartuar nga ky institucion, në lidhje me organizimin e votimit jashtë vendit për zgjedhjet parlamentare dhe lokale.
Gjatë prezantimit, Jashari evidentoi një varg sfidat e problemesh në të cilat kanë hasur bashkatdhetarët gjatë proceseve të kaluara të votimit. Ndër të tjera, Avokati i Popullit tha se votimi përmes postës elektronike është cilësuar i papërshtatshëm edhe nga Komisioni i Venedikut, dhe zgjidhje më ideale, sipas tij, do të ishte votimi fizik në ambasadat ose konsulatat e Kosovës.
Deputetët u shprehën të gatshëm të bashkëpunojnë me Institucionin e Avokatit të Popullit, për të gjetur një zgjidhje lidhur me këtë problematikë.
Komisioni në vazhdim propozoi që të adresojë këtë çështje si jashtëzakonisht të rëndësishme, nëpërmjet krijimit të një grupi punues, në bashkëpunim me Avokatin e Popullit.
Në mbledhjen e sotme, komisioni i dha përkrahje raportit me amendamente të komisionit funksional, për Projektligjin për produkte të ndërtimit.