Lajmet e fundit

Nga mbledhja e Komisionit për Administratë Publike...

E Hënë, 15.10.2018




Komisioni për Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media, kryesuar nga kryetari Nait Hasani, shqyrtoi dhe përkrahu Raportin vjetor të Komisionit të Pavarur për Media, për vitin 2017.

Kryetari i KPM-së, Muja Ferati, para anëtarëve të komisionit prezantoi Raportin vjetor për vitin 2017. Gjatë prezantimit të tij, Ferati bëri të ditur se në kuadër të aktiviteteve që ka zhvilluar ky institucion gjatë vitit paraprak, ka mbajtur katërmbëdhjetë mbledhje të rregullta, në të cilat ka shqyrtuar dhe marrë vendime për çështjet që kanë të bëjnë me zbatimin e Ligjit për KPM-në.

Sipas tij, janë miratuar disa akte nënligjore, nga fushëveprimtaria e këtij institucioni. Ai foli edhe për harmonizimin e strategjisë për kalimin në transmetim digjital me udhëzim administrativ, si dhe monitorimin e mediave gjatë zgjedhjeve nacionale dhe atyre lokale për vitin 2017.

Ferati pohoi se Departamenti Ligjor ka dërguar në përmbarim 63 raste për mos pagesë të licencës. Ai shprehu shqetësimin e tij lidhur me mos përdorimin e majës së Goleshit.

"Departamenti Ligjor ka dërguar në përmbarim 63 raste për mos pagesë të licencës. Janë proceduar 10 raste të shkeljes së kodit të etikës. Sinjalin e kemi kualitativ, por mbulueshmëria është e vogël, me vetëm 62 %, për shkak të mos përdorimit të majës së Goleshit", tha Ferati.

Anëtarët e komisionit, shtruan pyetje lidhur me numrin e licencave që u janë dhënë operatorëve, mbulueshmërinë e Radio Televizionit të Kosovës, raportet e KPM-së mes operatorëve IPKO dhe Kujtesa, vërejtjet dhe masat e ndërmarra ndaj operatorëve për shkeljet, për rastin e Artmotion, e cila i takon UEFA-s, ndryshimi i ligjit për portalet dhe monitorimi nga KPM-ja etj.

Përfaqësuesit e KPM-së dhanë sqarimet e nevojshme përkitazi me pyetjet e shtruara nga deputetët.

Në fund të takimit, komisioni miratoi raportin e punës së KPM-së për vitin e kaluar.

 

 

Nga mbledhja e Komisionit për Administratë Publike...