Lajmet e fundit

Nga mbledhja e Komisionit për Punë të Brendshme...

E Marte, 02.10.2018




Sot u mbajt mbledhja e Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës, nën udhëheqjen e kryetarit Haxhi Shala.

Në këtë mbledhje raportoi ministri i Punëve të Brendshme, Bejtush Gashi.

Gjatë fjalës së tij, ministri Gashi theksoi të gjithë punën e bërë deri tani nga ministria, si në fushën e sigurisë, ashtu edhe në hartimin e strategjive dhe të plotësim-ndryshimin e disa projektligjeve, të cilat pritet të përfundohen deri në fund të vitit. Po ashtu, ministri tha se gjendja e sigurisë në Kosovë është mjaft stabile dhe se po punohet që të ruhet ky stabilitet, në marrjen e masave për parandalimin e cenimi të mundshëm të sigurisë.

Në diskutimet në mes të ministrit dhe deputetëve, u hap si temë debati sfidat dhe problemet me të cilat po përballet shërbimi i zjarrfikësve në Kosovë.

U kërkua që të definohet sa më shpejt statusi i zjarrfikësve dhe të sigurohet buxhet i mjaftueshëm për ngritjen e pagave të këtij sektori mjaft të rëndësishëm të sigurisë, si dhe të tregohet kujdes i veçantë për këtë kategori.

Ministri tha se ka 10 vite që diskutohet për këtë çështje dhe se ende janë në procedurë e sipër dokumentet për rregullimin e kësaj çështjeje, nëpërmjet të cilave shërbimi i zjarrfikësve mos të jetë më në kompetencë të ministrisë, por të komunave.

Në takim i diskutua edhe për projektligjin për pensionin e parakohshëm të policëve. Ministri konstatoi se ministria është në proces të draftimit të këtij ligji.

Po ashtu pati edhe diskutime të ndryshme nga ana e grupeve punuese të komisionit, lidhur me sigurinë në komunikacion, reformat në polici, procesi i rekrutimit të policëve të rinj, zbatueshmërinë e ligjit për inspektoratin, si dhe për sigurinë e qytetarëve të Kosovës në përgjithësi dhe përmirësimin e kushteve për kategoritë e ndryshme.

 

Nga mbledhja e Komisionit për Punë të Brendshme...