Lajmet e fundit

Nga mbledhja e Komisionit për Bujqësi...

E Mërkure, 28.03.2018




Komisioni për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Mjedis dhe Planifikim Hapësinor, i kryesuar nga zonja Besa Gaxheri, zëvendëse e parë e kryetarit të Komisionit, në mbledhjen e sotme, për pikë kryesore të rendit të ditësh pati: Raportimi i kryeshefit të Agjencisë për Ushqim dhe Veterinari e Kosovës, në lidhje me importin e mishit dhe prodhimeve të mishit në territorin e Republikës së Kosovës.

Në mbledhje, përveç anëtarëve të Komisionit, morën pjesë edhe përfaqësuesit e Agjencisë për Ushqim dhe Veterinari e Kosovës, me në krye kryeshefin z. Valdet Gjinovci, si dhe përfaqësuesi i SEEF-it dhe ai i KDI-së.

Z. Gjinovci, duke e marrë fjalën, theksoi se në tërë territorin e Republikës së Kosovës, pra në 37 komuna, operojnë gjithsej 71 inspektorë të kësaj Agjencie dhe krahas kërkesave dhe lutjeve të shumëta të kësaj Agjencie që edhe 100 inspektorë komunal t'i bashkëngjiten kësaj Agjencie për kontrollimin e ushqimit në tërë Kosovën, fatkeqësisht kjo deri mës sot nuk është realizuar. Në vazhdim të ekspozeut, z. Gjinovci theksoi që, për shkak të numrit të vogël të inspektorëve, nuk ka mundësi të kontrollohet i tërë prodhimi dhe puna e mishtoreve në tërë Kosovën, por me kapacitetete tona dhe në bashkëpunim me inspektorët komunal, kontrollohn gjithsej 50 mishtore të regjistruara dhe që punojnë në tërë hapësirën e Kosovës. Sa i përket rasteve të fundit me importin e mishit me afat të skaduar, z. Gjinovci tha se, për herë të parë në vitin 2016, inspektorët në kufi zbuluan mish, i cili ishte importuar nga Belgjika që i kishte skaduar afati i përdorimit dhe se ai mish është eleminuar dhe se për herë të dytë, para pak kohësh, nga Belgjika, është importuar mish me afat të skaduar, i cili gjithashtu, është eleminuar dhe nuk ka arritur deri te konsumatori i Kosovës. Në fund të ekspozeut, z. Gjinovci theksoi që, për shkak të numrit të vogël të inspektorëve, të cilët janë të punësuar në këtë Agjenci, nuk janë në gjendje të kontrollojnë tërë hapësirën e Kosovës me prodhimtarinë e mishit dhe prodhimet e tij, por edhe artikujt tjerë jetësor dhe se gjatë vitit 2017, Agjencia për Ushqim dhe Veterinari e Kosovës, ka kryer gjithsej 56.324 inspektime, janë marrë për analiza gjithsej 6.800 mostra të artikujve ushqimor dhe për shkak të parregullsive në punë, nga ana e Agjencisë janë ushtruar gjithsej 153 fletëparaqitje pranë organeve kompetente, për të gjithë ata që nuk i janë përmbajtur udhëzimeve të kësaj Agjencie.

Në fund të mbledhjes, anëtarët e Komisionit, në adresë të kryeshefit të Agjencisë, z. Valdet Gjinovci, parashtruan numër të madh pyetjesh, për të cilat edhe morën përgjigje.

 

Nga mbledhja e Komisionit për Bujqësi...