Lajmet e fundit

Nga mbledhja e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, Persona të Pagjetur dhe Peticione

E Hënë, 26.03.2018




Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, Persona të Pagjetur dhe Peticione, në mbledhjen e sotme, të kryesuar nga z-nja Duda Balje, kryetare, për pikë të vetme të rendit të ditës pati shqyrtimin e Projektligjit nr.06/L-001 për ndryshimet dhe plotësimet e Ligjit nr.02/L-031 për liritë fetare në Republikën e Kosovës.

Në këtë mbledhje, përveç anëtarëve të Komisionit, morën pjesë edhe përfaqësuesit e OSBE-së, EURS-it,UNHR-it, Ambasadës amerikane në Prishtinë, Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, si dhe përfaqësuesi i KDI-së.

Në vazhdim të mbledhjes, kryetarja e Komisionit, zonja Duda Balje, theksoi se Grupi i punës këtë Projektligj e ka shqyrtuar dhe se nga Grupi parlamentar i Listës serbe kanë qenë gjithsej 14 amendamente dhe se nga këto amendamente janë miratuar 12 prej tyre, kurse 2 amendamente janë refuzuar. Në vazhdim, zonja Balje theksoi se individualish z. Nait Hasani ka paraqitur një amendament dhe se Grupi i punës është deklaruar që sekti fetar Bektashinjë në Republikën e Kosovës trajtohet si bashkësi e pavarur fetare.

Pas diskutimeve të hollësishme, anëtarët e Komisionit i votuan një nga një 12 amendamentet e propozuara nga Grupi parlamentar i Listës serbe. Gjithashtu, për e votuan edhe amendamentin e deputetit Nait Hasani, ku thuhej se në hapësirat e Republikës së Kosovës mund të regjistrohet edhe bashkësia fetare me emrin Kisha Ortodokse e Kosovës.

Në fund, anëtarët e Komisionit, me amendamentet e propozuara dhe të miratuara, në tërësi miratuan Projektligjin e propozuar nr.06/L-001 për ndryshimet dhe plotësimet e Ligjit nr.02/L-031 për liritë fetare në Republikën e Kosovës.

 

Nga mbledhja e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, Persona të Pagjetur dhe Peticione