Lajmet e fundit

Nga vazhdimi i mbledhjes plenare

E Marte, 13.03.2018




Vazhdimi i mbledhjes plenare të Kuvendit të Republikës së Kosovës,(filluar me 8 shkurt) kryesuar nga kryeparlamentari Kadri Veseli, filloi me votimin e rekomandimeve të Interpelancës lidhur me Vendimin e Qeverisë së Kosovës nr.04/20 të datës 20.12.2017 për rritjen e pagave të anëtarëve të Kabinetit qeveritar, Vendimin nr. 05/24 i datës 12 janar 2018, për rritjen e pagave për të gjitha kategoritë e të punësuarave që marrin paga nga buxheti i Kosovës, si dhe Vendimi nr. 15/24 i datës 12 janar 2018 për lartësinë e pagesës mujore për familjet në Skemën e Ndihmave Sociale.

Përkitazi me këtë, në emër të propozuesit të çështjes, deputetja Albulena Haxhiu (VV) paraqiti katër rekomandimet e harmonizuara mes grupeve parlamentare (Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës) dhe kur këto rekomandime u hodhën në votim, Kuvendi mbeti pa vendimmarrje për shkak të mungesës së kuorumit të deputetëve gjatë procesit të votimit.

Kjo çështje ngjalli debat mes përfaqësuesve të grupeve parlamentare.

Shkumbin Demaliaj (AAK), Milaim Zeka (Nisma) dhe Hajdar Beqaj (PDK), deklaruan se meqë kjo çështje është në Gjykatën Kushtetuese atëherë Kuvendi nuk duhet të interferohet dhe duhet të presë vendimin nga ky institucion.

Ndërkaq, Avdullah Hoti (LDK) dhe Glauk Konjufca (VV) theksuan faktin se nëse Kuvendi vazhdon me këtë praktikë, atëherë ata nuk do të marrin pjesë në votimin e çështjeve tjera nëpër mbledhjet e Kuvendit, duke lëshuar më pas sallën e Kuvendit.

Lidhur me këtë çështje, foli edhe kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj. Ai mes tjerash tha se në rast se opozita dëshiron që të ndihmojë qytetarët e vendit, mund të llogarisë në përkrahjen e secilit, ndërsa duke u ndërlidhur me çështjen e vendimit të qeverisë për rritjen e pagave, Haradinaj tha se derisa lënda për këtë çështje është në Gjykatën Kushtetuese, legjislativi nuk merr vendime për këtë lëndë ose për këtë temë.

Tutje, kryekuvendari Veseli kërkoi që të zhvillojë një takim me kryetarët e grupeve parlamentare.

Pas një pauze të deputetëve, kreu i Kuvendit, sqaroi se vazhdimi i kësaj seance do të mbahet gjatë ditës së nesërme.

Nga vazhdimi i mbledhjes plenare Nga vazhdimi i mbledhjes plenare