Lajmet e fundit
Deputetja Bajrami merr pjesë në takimin e Komisionit të Përgjithshëm për Ekonomi, Infrastrukturë dhe Energji të AP të Procesit të Bashkëpunimit për Evropën Juglindore
E Diel, 11.03.2018
Delegacioni i Kuvendit të Republikës së Kosovës mori pjesë në takimin e Komisionit të Përgjithshëm për Ekonomi, Infrastrukturë dhe Energji, me temën: "Mundësitë për bashkëpunim ekonomik ndërmjet vendeve pjesëmarrëse në procesin e bashkëpunimit të Evropës Jug-Lindore", organizuar nga Asambleja e Madhe Kombëtare Turke në Stamboll, më 9-11 mars 2018.
Delegacionin e Kuvendit të Republikës së Kosovës e përfaqësoi deputetja Hykmete Bajrami, anëtare e delegacionit të përhershëm të Kuvendit të Republikës së Kosovës në Asamblenë Parlamentare të Procesit të Bashkëpunimit për Evropën Juglindore.
Deputetja Bajrami, në fjalën e saj prezantoi progresin që ka bërë Kosova në përmirësimin e klimës së investimeve, tregoi për potencialet e vendit dhe foli për gatishmerinë e të gjitha institucioneve për bashkpunim ekonomik rajonal.
Qëllimi i këtij takimi ishte intensifikimi i bashkëpunimit të ndërsjellë dhe të barabartë midis vendeve pjesëmarrëse, në fushën ekonomisë, energjisë, infrastrukturës dhe bashkëpunimi tregtar.
Takimin e kryesoi Turqia, e cila njëherësh ishte dhe nikoqire.
Përveç Kosovës, pjesëmarrës në këtë takim ishin edhe deputetët përfaqësues nga Shqipëria, Slovenia, Bosnjë e Hercegovina, Kroacia, Greqia, Maqedonia, Mali i Zi dhe Serbia.
Në fund të takimit anëtarët e Komisionit miratuan Raportin dhe Rezolutën.