Lajmet e fundit
Kryeparlamentari Veseli takoi kryetarët e komisioneve parlamentare
E Mërkure, 21.02.2018
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, ka zhvilluar sot një takim me kryetarët e komisioneve parlamentare, me të cilët ka diskutuar lidhur me përshpejtimin e shqyrtimit dhe procedimit të projektligjeve në procedurë.
Kreu i Kuvendit dha një pasqyrë të legjislacionit i cili është në procedurë parlamentare, përkatësisht në komisione. Aktualisht në shqyrtim në komisione parlamentare janë 45 projektligje.
Kryeparlamentari Veseli kërkoi nga drejtuesit e komisioneve rritjen e dinamikës së punës për shqyrtimin e projektligjeve, në mënyrë që Kuvendi të kryej përgjegjësitë e tij kushtetuese sipas ritmeve të parapara, por jo në dëm të përmbajtjes. Veseli me theks të veçantë kërkoi që projektligjet që lidhen me agjendën për reforma evropiane (ERA) të shqyrtohen dhe procedohen me prioritet dhe brenda afatit të paraparë (31 mars 2018).
Drejtuesit e komisioneve parlamentare, nga ana e tyre, paraqitën të dhëna rreth ecurisë së deritashme të punës për përmbushjen e detyrave dhe të obligimeve nga ana e komisioneve që ata drejtojnë.
Në takimin e radhës do të diskutohet lidhur me rrjedhën e realizimit të procedimit të projektligjeve, sipas agjendës së përcaktuar.