Lajmet e fundit

Nga mbledhja e Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike

E Marte, 20.11.2018




Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave, mbajti sot mbledhjen e radhës, të drejtuar nga kryetari i komisionit Driton Selmanaj, ndërsa prezentë ishin edhe Sadik Kryeziu, Kryesues i Bordit tw ndërmarrjes Trainkos si dhe Durim Krasniqi, zyrtar kryesor financiar i po kësaj ndërmarrjeje, për të arsyetuar raportin e auditimit për pasqyrat vjetore vjetor financiare të vitit 2017.

Paraqitjen e raportit të auditimit për Pasqyrat Vjetore Financiare të Ndërmarrjes Publike Hekurudhat e Kosovës - Trainkos Sh.a, për vitin e përfunduar më 31 dhjetor 2017 e bëri deputetja Emilija Rexhepi, në cilësinë e deputetes raportuese. Kjo e fundit tha se raportet e dhëna nga ndërmarrja nuk janë të sakta dhe nuk janë sipas standardeve të auditimit, mirëpo theksoi se në raport me vitin e kaluar, kjo ndërmarrje ka pasur përmirësim në menaxhim.

Deputetja Emilija Rexhepi kërkoi edhe strategjinë ose planet e ndërmarrjes për të zgjidhur problematikat që ekzistojnë tash e disa vite, përfshirë edhe borxhet që kanë ndaj ndërmarrjes.

Sadik Kryeziu, përfaqësues i ndërmarrjes, me këtë rast tha se Trainkos është ndër ndërmarrjet e para publike që ZKA ka bërë auditimin e pasqyrave vjetore financiare. Ai tha se i gjithë stafi është mobilizuar dhe ka arritur t'i përmbush 74 për qind të rekomandimeve, gjë të cilën ai e konsideroi arritje, krahasuar me gjendjen e rëndë që ka pasur kjo ndërmarrje ndër vite.

Sa i përket planeve dhe strategjisë që ka kjo ndërmarrje, ai tha se si bord drejtues nuk mund të bëjë plane afatgjata, për shkak të borxheve të cilat ekzistojnë që nga viti 2002 dhe se po kërkojnë mbështetje nga institucione përkatëse që të paktën mos të kontraktohen kompani private për transport të mallrave, ngase, sipas tij, kjo e dëmton këtë ndërmarrje edhe më shumë.

Pas debatit dhe diskutimeve nga ana e deputetëve, komisioni u akordua që raporti mos te adresohet për në seancë plenare, mirëpo rekomandimet t'i adresohen Bordit drejtues dhe Kryeshefit Ekzekutiv të kësaj nderrmarrjeje.

Në vazhdimin e mbledhjes u vendos që raporti i auditimit për Pasqyrat Vjetore Financiare të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit për vitin e përfunduar më 31 dhjetor 2017, te adresohet për në seancë plenare se bashku me rekomandimet e KMFP-së.

Po ashtu u vendos që ne mbledhjen e radhës së Komisionit të ftohet Ministri i Ministrisë për Komunitete dhe Kthim për raportin e auditimit të kësaj ministrie.

 

Financat