Lajmet e fundit
Aktiviteti “Ditët e Kuvendit” vazhdoi në Drenas
E Shtune, 17.11.2018
Drenasi ishte nikoqiri i radhës i aktivitetit "Ditët e Kuvendit", inicuar nga Kuvendi, përkatësisht Forumi për Transparencë Parlamentare, i organizuar në formë të debatit të hapur në mes qytatarëve të komunës dhe deputetëve.
Shumë prej qytetarëve të pranishëm adresuan pyetje për deputetët: Armend Zemaj, Sala Berisha-Shala, Arbër Rexhaj dhe Teuta Haxhiu.
Çështjet që u diskutuan në këtë aktivitet të mbajtur në Shtëpinë e Kulturës ishin kryesisht probleme lokale si: ujësjellësi (mungesa e ujit të pijshëm), infrastruktura, zgjerimi i hapësirës së varrezave të qytetit, subvencionet bujqësore, mungesa e vendeve të punës, zvogëlimi i numrit të nxënësve nëpër shkolla, mbyllja e tri shkollave, ligji i pagave, pagat e asambleistëve, Ferronikeli, ndotja e mjedisit dhe ajrit etj.
Debati vazhdoi me diskutime edhe për liberalizimin e vizave, bisedimet Kosovë-Serbi etj.
Deputetja nga ky rajon, Sala Berisha-Shala si dhe deputetët e tjerë, Armend Zemaj, Arbër Rexhaj e Teuta Haxhiu, deklaruan se janë të hapur ndaj shqetësimeve të qytetarëve, ndërsa kërkesa e këtyre të fundit ishte që përfaqësuesit e zgjedhur nga ta, të jenë më të unifikuar kur vjen puna te çështjet nacionale.