Lajmet e fundit

Kuvendi i Kosovës u mblodh në seancë të jashtëzakonshme

E Marte, 13.11.2018




Me kërkesë të kryeministrit Ramush Haradinaj, Kuvendi i Republikës së Kosovës u mblodh sot në seancë të jashtëzakonshme, për të shqyrtuar pakon e ligjeve për sundim të ligjit dhe agjendën integruese evropiane.

Kryetarja e Komisionit për Legjislacion, Albulena Haxhiu, bëri të ditur se komisioni që ajo drejton dje ka përfunduar punën e tij lidhur me katër projektligjet e theksuara dhe raportet me rekomandime ua ka përcjell komisioneve të tjera.

Rrjedhimisht, sipas saj, seanca e sotme nuk ka objekt dhe nuk mund të shqyrtojë asgjë për sa kohë nuk ka materiale.

Edhe përfaqësues të grupeve parlamentare, Arben Gashi (LDK), Memli Krasniqi (PDK), Ahmet Isufi (AAK), Dardan Sejdiu (PSD), Bilall Sherifi (Nisma), si dhe deputetë të tjerë, theksuan se sot nuk ka kushte për mbajtjen e seancës.

Kryesuesi i seancës, nënkryetari Xhavit Haliti, tha se seanca nuk është e përgatitur dhe rrjedhimisht e shpall atë të mbyllur.

"Seancën e kemi thirrur si Kryesi me kërkesë të kryeministrit të Kosovës dhe jemi në seancë. Konstatoj që seanca nuk ka qenë e përgatitur për t'u thirrur, edhe pse është bërë kërkesa dhe prandaj seancën e shpall të mbyllur. Seanca tjetër, qoftë për këtë çështje, qoftë për çështje të tjera, mund të thirret prapë edhe nga kryeministri, edhe nga deputetët", theksoi Haliti.

 

 

Kuvendi i Kosovës u mblodh në seancë të jashtëzakonshmeKuvendi i Kosovës u mblodh në seancë të jashtëzakonshme