Lajmet e fundit
Kryeparlamentari Veseli dhe Ambasadori britanik O’Connell diskutojnë për avancimin e raporteve midis dy shteteve
E Mërkure, 13.09.2017
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, takoi Ambasadorin e Britanisë së Madhe në vendin tonë, Ruairi O'Connell, me të cilin diskutoi për marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve dhe thellimin e tyre në ardhmen.
Ambasadori britanik uroi Veselin për rizgjedhjen në krye të Kuvendit të Kosovës, si dhe e përgëzoi për punën që ka bërë gjatë legjislaturës së kaluar.
Kryeparlamentari Veseli, pasi e falënderoi Ambasadorin për vizitën dhe urimet me rastin e rizgjedhjes, potencoi ndihmën që Parlamenti britanik i ka dhënë Kuvendit të Republikës së Kosovës për vite me radhë, por edhe rëndësinë që ky bashkëpunim dhe kjo mbështetje të vazhdojë edhe në të ardhmen.
Në takim, po ashtu, është diskutuar për vazhdimin e projektit për rekrutimin e kandidatëve për pozita të larta në institucione publike të Kosovës, i cili ishte nënshkruar vitin e kaluar dhe ka për synim fuqizimin e qeverisjes së mirë, transparencës dhe llogaridhënies.