Lajmet e fundit
Veseli: Agjendë kryesore e institucioneve do të jetë përmirësimi i jetës së qytetarëve
E Enjte, 07.09.2017
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli dhe mandatari për krijimin e qeverisë, Ramush Haradinaj, në një konferencë të përbashkët për media, kanë folur për procesin e krijimit të institucioneve të reja të Kosovës.
Kreu i legjislativit, Veseli, ditën e sotme e konsideroi të një rëndësie të veçantë, pasi që, siç tha ai, konstituimi i Legjislaturës VI të Kuvendit korrespondon me përvjetorin e 27-të të Kushtetutës së Kaçanikut.
Veseli tha se nga dita e sotme nuk ka bllokadë institucionale dhe se institucionet e reja kanë shumë punë dhe sfida para vetes, veçanërisht në përmirësimin e jetës së qytetarëve.
"Konstituimi i Kuvendit është një shenjë e mirë, sepse ne punojmë për të mirën e qytetarëve dhe të atdheut tone, që të mbrojmë atë që kemi arritur deri më tani. Të respektohet vullneti qytetar dhe të kemi institucione që lidhen drejtpërsëdrejti me vendin tonë dhe integrimet euroatlantike", theksoi kryeparlamentari Veseli.
Duke i falënderuar deputetët që sot e votuan, Veseli bëri të ditur se ka proceduar të presidenti i Kosovës propozimin për mandatarin për krijimin e qeverisë.
Edhe Haradinaj e konsideroi konstituimin e Kuvendit një lajm të mirë për Kosovën, ndërsa paralajmëroi se qeveria e re pritet të zgjidhet të shtunën.
Duke prezantuar prioritetet e qeverisë të cilën pritet ta drejtojë, mandatari Haradinaj theksoi përkushtimin për të përmirësuar gjendjen në vend.
"Ajo që na mundon shumë është gjendja në vend, të gjitha ato tema që e preokupojnë qytetarin tonë. Qëllimi ynë është që ata që e mendojnë se zgjidhja është në rrugët e botës, ta kuptojnë se zgjidhja është këtu. Detyra jonë, e të gjithëve, është që me punë të gjallërohet ky vend dhe të kthehet shpresa", theksoi Haradinaj.