Lajmet e fundit

Nga mbledhja plenare e Kuvendit

E Mërkure, 10.05.2017




Në mbledhjen e sotme plenare të Kuvendit të Republikës së Kosovës, të kryesuar nga kryetari Kadri Veseli, (një pjesë u kryesua nga nënkryetari Xhavit Haliti) u shqyrtua mocioni i mosbesimit ndaj Qeverisë së Republikës së Kosovës, të propozuar nga grupet parlamentare: Nisma për Kosovën, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Lëvizja "Vetëvendosje", mbështetur nga 42 deputetë.

Parashtruesja e këtij mocioni, Valdete Bajrami, duke paraqitur dhe arsyetuar mocionin e mosbesimit ndaj qeverisë, theksoi se vendi është në krizë politike dhe se vendi ka nevojë për një qasje të re qeverisëse, meqë sipas saj, qeveria aktuale ka dështuar në të gjitha planet e saj.

Duke përmendur moszhvillimin ekonomik të vendit, ajo tha se kjo ka ndodhur për shkak të keqqeverisjes, ndërkaq numëroi disa nga shkaqet kryesore për inicimin e këtij mocioni, siç janë: Marrëveshja për Asociacionin e Komunave, ajo për demarkacionin, moszhvillimi ekonomik, degradimi i sistemit të arsimit, ikja e qytetarëve nga Kosova, papunësia, si dhe mosfunksionimi i legjislativit, qeverisë dhe institucioneve tjera, etj.

"Përmes mocionit të mosbesimit ndaj Qeverisë së Republikës së Kosovës, të propozuar nga grupet parlamentare: Nisma për Kosovën, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Lëvizja ‘Vetëvendosje', mbështetur nga 42 deputetë, kërkojmë që t'ia marrim besimin kabinetit qeveritar, për t'i ofruar vendit zgjedhje të parakohshme dhe duhet t'i ndërpritet mandati", tha Bajrami, duke kërkuar nga deputetët që ta përkrahin këtë mocion. Mes tjerash, ajo tha se kjo qeveri nuk ka qenë e aftë që të marrë vendime të rëndësishme për të mirën e qytetarëve.

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, lidhur me mocionin e parashtruar theksoi se mocioni mosbesimit është një pamflet politik dhe pa asnjë bazë argumentuese, ndërsa në vazhdim potencoi arritjet e qeverisë gjatë këtij mandati. Ai mes tjerash vlerësoi se mocioni është një tendencë që dëmet të cilat i kanë krijuar qeveritë e kaluara t'i vishen kësaj qeverie. Kjo, sipas tij, është e papranueshme dhe ka për pasojë destabilizimin e vendit.

Kryeministri Mustafa në vijim tha se në kabinetin e tij qeveritar nuk ka asnjë kriminel, ndërkaq shtoi se do të dalin fitues, meqë konsideroi se janë të suksesshëm, të pastër dhe të drejtë, pa marrë parasysh epilogun e këtij mocioni.

Tutje, ai përmendi të arriturat dhe sukseset e kësaj qeverie në shumë fusha, me theks të veçantë në atë ekonomike. Ai përmendi rritjen e buxhetit si dhe arritjen e marrëveshjes me FMN-së. Pastaj, përmendi çështjen e liberalizimit të vizave, duke sqaruar se janë përmbushur të gjitha kriteret, porse ka mbetur vetëm çështja e demarkacionit me Malin e Zi. Në vijim ai, përmendi edhe njohjet për shtetin e Kosovës, kodin shtetëror telefonik etj.

"Buxheti i Kosovës për herë të parë ka arritur vlerën prej dy milionë euro dhe se tashmë kemi normën më të ulët të shuarjes së bizneseve. Ne jemi vendi me normën më të lartë për rritje ekonomike në regjion dhe jemi vendi me policinë më të mirë në rajon, me suksese të mëdha me luftën kundër terrorizmit, drogës dhe trafikimit të qenieve njerëzore. Kemi arritur që të rrisim pensionet e kontributdhënesve dhe kemi rritur ndihmat sociale. Kjo qeveri ka arritur që të përmbyllë 94 kritere nga 95 kritere për liberalizimin e vizave dhe ka mbetur vetëm demarkacioni me Malin e Zi", tha mes tjerash kryeministri Mustafa.

Krejtësisht në fund, kryeministri Mustafa tha se është falënderues për bashkëpunëtorët e tij dhe vlerësoi lart punën e tyre.

Zenun Pajaziti, kryetar i Grupit Parlamentar të PDK-së, duke shprehur qëndrimin e kësaj partie, tha se PDK-ja do të votojë në përputhje me vullnetin e qytetarëve, ndërkaq përmendi edhe sjelljet e opozitës gjatë vitit të kaluar, duke i quajtur si bllokuese të proceseve. Sa i përket mocionit, Pajaziti vlerësoi se ky mocion është ngase në këtë vend ka ngecje evidente.

"Kemi qindra e mijëra qytetarë që na trokasin për hallet e tyre për shkak të mos krijimit të vendeve të punës dhe kemi pasur ngecje që lidhen drejtpërdrejt me institucionet tona", tha mes tjerash Pajaziti, duke përmendur si ngecje moskrijimin e ushtrisë së Kosovës dhe mos liberalizimin e vizave.

Duke përmendur deklaratat e kryeministrit Mustafa lidhur me sukseset e kësaj qeverie, që ka të bëjë me policinë, sigurinë dhe sportin, Pajaziti, tha se këto suksese janë në kudër të angazhimit disavjeçar të të gjithëve.

Në fund të diskutimit të tij, Pajaziti, përsëriti se vullneti i PDK-së është në harmoni me kërkesat e qytetarëve.

Ismet Beqiri, kryetar i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, tha se ngritja e mocionit është e drejtë kushtetuese dhe akt demokratik dhe si të tillë, sipas tij, LDK-ja e merr me qetësinë më të madhe.

"Konsiderojmë se qeveria e udhëhequr nga kryeministri Mustafa është qeveria më e suksesshme e pasluftës në Republikën e Kosovës. Të gjithë jemi dëshmitarë të vështirësive të jashtëzakonshme në pengesat dhe punën e qeverisë këtu në Kuvend dhe jashtë Kuvendit dhe fatbardhësisht kjo është tejkaluar dhe janë arritur rezultate", tha Beqiri, duke shtuar se LDK-ja mbetet e përkushtuar që të jetë si çdoherë në interes të vendit dhe të punojë për interesa të qytetarëve.

"Edhe sukseset i kemi pasur të përbashkëta, por edhe dështimet eventuale duhej të ishin të përbashkëta, edhe pse kjo qeveri për një periudhë të shkurtër kohore ka shënuar suksese jashtëzakonisht të mëdha, tha Beqiri duke paraqitur qëndrimin kundër këtij mocioni.

Glauk Konjufca nga Lëvizja Vetëvendosje, fillimisht ka numëruar disa nga dështimet e kësaj qeverie.

"Qeveri që premtoi vende pune, qeveri që shet dhe e blen statusin e veteranit të UÇK-së, qeveri e Gjykatës Speciale, qeveri që nuk e bën dot as ushtrinë. Kjo qeveri ka qeverisur qe 900 ditë, por ne mund t'i rendisim edhe 900 arsye tjera pse kjo qeveri duhet të shkojë në shtëpi", tha Konjufca, duke theksuar se kjo qeveri nuk ka qenë në shërbim të qytetarëve, por në shërbim të vetvetes.

Pal Lekaj, nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, fillimisht përmendi disa nga, siç tha ai, dështimet e kësaj qeverie.

"Qytetarët ballafaqohen me 6 orë në ditë pa rrymë elektrike, mijëra pacientë janë sot duke u shëruar jashtë vendit, qytetarët e Kosovës e kanë lëshuar vendin ngase nuk kanë parë perspektivë në vend dhe e kanë humbur shpresën e fundit se kjo qeveri mund të bëjë diçka", tha Lekaj, duke shtuar se kjo qeveri është ndër qeveritë më dobëta dhe më të plogështa që ka përjetuar Kosova.

"Ne, si grup parlamentar përkrahim fuqishëm mocionin dhe kjo qeveri të shkojë në shtëpi dhe kjo agoni të ndryshojë", tha Lekaj.

Ndërkaq, Enver Hoti nga Grupi Parlamentar Nisma, tha se përmbajta e mocionit ofron mundësi që të jemi në funksion të detyrës dhe se duhet që t'i jepet mbështetje e fuqishme rrëzimit të kësaj qeverie.

Ai tha se mbështetja e këtij mocioni është një mundësi për të hapur një perspektivë të re dhe për të ardhur një qeveri që do të jetë kompetente për ta drejtuar vendin.

Në vijim diskutuan edhe këta deputetë: Muhamet Mustafa, Melihate Tërmkolli, Besa Gaxherri, Murat Hoxha, Gëzim Kelmendi, Fatmir Limaj, Danush Ademi, Ilir Deda, Sadri Ferati, Agim Kikaj, Armend Zemaj, Arben Gashi, Vjosa Osmani, Daut Haradinaj, Besim Beqaj, Zafir Berisha, Rexhep Selimi, Hajdar Beqa, Adem Salihaj, Donika Kadaj-Bujupi, Shaip Muja, Doruntinë Maloku, Njomza Emini, Ismajl Kurteshi, Qerim Bajrami, Bislim Zogaj, Blerim Grainca, Xhevahire Izmaku, Shukri Buja dhe Ganimete Musliu.

Pas diskutimit të deputetëve, fjalën e mori kryeministri Mustafa, i cili ka falënderuar të gjithë deputetët për bashkëpunimin. "Ky parlament meriton që të ketë njerëz që punojnë për interesa të vendit dhe uroj që të vendosni sipas bindjes suaj", tha kryeministri Mustafa.

Ndërkaq iniciuesi i këtij mocioni, Fatmir Limaj, duke kërkuar votimin pro këtij mocioni ka falëndëruar deputetët dhe nënshkruesit e mocionit për debatin dhe diskutimin në Kuvend. "Diskutimet e deputetëve e kanë plotësuar mjaftueshëm arsyen për mocion mosbesimi ndaj kësaj qeverie dhe ftoj deputetët në mënyrë unanime që ta votojnë mocionin", u shpreh Limaj.

Me 78 vota për, 34 kundër dhe 3 apstenime, Kuvendi miratoi mocionin e mosbesimit ndaj Qeverisë së Republikës së Kosovës, të propozuar nga grupet parlamentare: Nisma për Kosovën, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Lëvizja "Vetëvendosje", mbështetur nga 42 deputetë.

 

Nga mbledhja plenare e KuvenditNga mbledhja plenare e KuvenditNga mbledhja plenare e KuvenditNga mbledhja plenare e KuvenditNga mbledhja plenare e KuvenditNga mbledhja plenare e KuvenditNga mbledhja plenare e KuvenditNga mbledhja plenare e KuvenditNga mbledhja plenare e KuvenditNga mbledhja plenare e Kuvendit