Lajmet e fundit
Veseli telefonatë me Hoyt Yee: Demarkacioni të procedohet para mocionit
E Marte, 09.05.2017
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli ka zhvilluar një bisedë telefonike me zëvendës ndihmës sekretarin amerikan të shtetit, Hoyt Brian Yee, me të cilin kanë diskutuar për zhvillimet e fundit politike në Republikën e Kosovës.
Gjatë bashkëbisedimit, kryetari Veseli ka vlerësuar se ekziston një ngecje në vendimmarrje, ndërsa ka rikonfirmuar kërkesën se duhet të ecet përpara në marrjen e vendimeve të rëndësishme për të ardhmen integruese të vendit.
Gjatë kësaj bisede telefonike, kryetari Veseli ka diskutuar me diplomatin amerikan për mungesën e vendimeve të rëndësishme të cilat është dashur të merren deri tani në koordinim me miqtë ndërkombëtarë, siç janë ngecjet në reformat ekonomike, ngecjet në riformatimin e qeverisë dhe kryerja e obligimeve ndërkombëtare që ka marrë Kosova si shtet i pavarur e sovran.
Kryetari Veseli ka diskutuar me diplomatin amerikan Hoyt Yee edhe për kërkesën e qartë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës që Qeveria dhe Kuvendi të procedojnë me demarkacionin nesër (e mërkure) para mocionit të mosbesimit të qeverisë.
Në rast të mos procedimit të demarkacionit para mocionit ndaj qeverisë, duhet të lëvizet përpara në rrugëzgjidhje tjera.
Kryetari Veseli e ka siguruar zyrtarin e lartë amerikan se Partia Demokratike e Kosovës është në tërësi në mbështetje të qëndrimeve amerikane dhe do të ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshëm për ecjen përpara.