Lajmet e fundit
Sqarim lidhur me raportin e shpenzimeve të Kuvendit
E Hënë, 08.05.2017
Zyra e Sekretarit të Përgjithshëm të Kuvendit të Republikës së Kosovës
Sqarim lidhur me raportin e shpenzimeve të Kuvendit
Lidhur me storien e mbrëmshme të KTV-së, njëherësh artikullin e portalit www.koha.net, përkitazi me publikimin e raportit financiar të Kuvendit për tre muajt e fundit të vitit të kaluar, Zyra e Sekretarit të Përgjithshëm të Kuvendit të Republikës së Kosovës jep këtë sqarim:
Dokumentet e administratës së Kuvendit nuk publikohen pa u shqyrtuar paraprakisht në trupat punuese të Kuvendit, konkretisht në komisionet përkatëse dhe në Kryesinë e Kuvendit.
Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës, më 3 maj 2017, ka miratuar raportin e shpenzimeve të Kuvendit për vitin 2016.
Konform procedurave, raporti është proceduar për publikim dhe ai tashmë është publik në ueb-faqen e Kuvendit.
Sa i përket raportit të tremujorit të parë të vitit 2017, Zyra e Sekretarit është në pritje të shqyrtimit dhe miratimit të tij nga ana e Komisionit për Buxhet dhe Financa. Pas shqyrtimit në këtë komision, raporti do të shqyrtohet dhe miratohet nga Kryesia, duke i hapur kështu rrugë publikimit.
Vlerësojmë se Kuvendi tashmë ka krijuar një standard sa i përket transparencës lidhur me shpenzimet, duke i bërë ato të njohura për publikun, pas shqyrtimit në trupat përkatëse të punës.