Lajmet e fundit

Deputetja Emini: Rinia, prijatare në rrugën evropiane të Kosovës

E Hënë, 08.05.2017




Komisioni për Integrime Evropiane i Kuvendit të Republikës së Kosovës, me mbështetjen e GIZ-it, në kuadër të Javës së Evropës, ka organizuar sot në Prishtinë konferencën rajonale "Lidhja e Rinisë me Integrimet Evropiane", në të cilën morën pjesë të rinj nga gjashtë vende të Ballkanit: Kosovës, Shqipërisë, Malit të Zi, Maqedonisë, Serbisë dhe Bosnjë-Hercegovinës.

Kryetarja e Komisionit për Integrime Evropiane, Njomza Emini, në fjalën e saj para të pranishmëve, u fokusua te rinia dhe perspektiva e saj, duke potencuar nevojën e përfshirjes më të madhe të të rinjve në jetën politike, ekonomike dhe sociale të vendit.

Emini tha se rinia është prijatare në rrugën evropiane të Kosovës, si alternativa e vetme e të ardhmes së saj.

Në vazhdim të fjalës së saj, kryetarja e komisionit tha se të rinjtë tanë aktualisht nuk qëndrojnë në një pozicion shumë të favorshëm, përderisa papunësia në mesin e tyre është e lartë dhe ndryshe nga bashkëmoshatarët tyre në rajon dhe gjetkë, ata nuk mund të udhëtojnë lirshëm në vendet anëtare të BE-së.

"Përderisa jemi ne dhe institucionet tona të cilat duhet të punojnë më shumë në rritjen e punësimit të të rinjve dhe t'u japim motiv për të studiuar dhe për ta ndërtuar një të ardhme më të mirë për Kosovën, ka shumë gjëra që edhe Bashkimi Evropian mund të bëjë për ta afruar rininë tonë me procesin e integrimit evropian dhe me qytetarët e BE-së", theksoi kryetarja Emini.


Në vazhdim, ajo evidentoi një varg iniciativash, siç është themelimi i Zyrës Rajonale për Bashkëpunim të Rinisë apo edhe skema e të rinjve (YoungCellScheme), të cilat kanë ndikuar pozitivisht në hapjen e dyerve për të rinjtë e Kosovës, duke u mundësuar atyre të ndjekin studimet në universitete te njohura në Evropë. Emini theksoi nevojën që iniciativa të tilla të ndërmerren edhe në të ardhmen.

Konferenca vazhdoi me diskutimet e përfaqësuesve të Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Ambasadës Gjermane, si dhe përfaqësuesve të rinj nga shtetet e Ballkanit Perëndimor, të cilët shkëmbyen ide dhe pikëpamjet e tyre lidhur me perspektivën evropiane të vendeve të Ballkanit dhe rolit të rinisë në këtë proces.

 

Deputetja Emini: Rinia, prijatare në rrugën evropiane të KosovësDeputetja Emini: Rinia, prijatare në rrugën evropiane të KosovësDeputetja Emini: Rinia, prijatare në rrugën evropiane të KosovësDeputetja Emini: Rinia, prijatare në rrugën evropiane të KosovësDeputetja Emini: Rinia, prijatare në rrugën evropiane të KosovësDeputetja Emini: Rinia, prijatare në rrugën evropiane të Kosovës