Lajmet e fundit

Nga vazhdimi i mbledhjes plenare të Kuvendit

E Enjte, 04.05.2017




Kuvendi i Republikës së Kosovës, nën kryesimin e Xhavit Halitit, nënkryetar, ka vazhduar punimet, me pikat e mbetura nga mbledhjet e kaluara.

Seanca filloi me hedhjen në votim të Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për minierat dhe mineralet, i cili nuk mori shumicën e nevojshme të votave për t'u miratuar. Më pas u kalua në pikën e tretë e rendit të ditës, lidhur me rekomandimet e Avokatit të popullit, të propozuara nga deputetja Teuta Haxhiu dhe të harmonizuara me grupet parlamentare, të cilat u miratuan nga Kuvendi. U miratuan, gjithashtu, edhe rekomandimet në lidhje me shkeljen e të drejtave të punëtorëve në Kosovë. Nuk u miratua, ndërkaq, propozim-rezoluta në lidhje me arrestimet e aktivistëve të Lëvizjes Vetëvendosje.

Kuvendi vazhdoi punimet me interpelancën e kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa, sipas kërkesës së deputetes Donika Kadaj-Bujupi, e mbështetur edhe nga 15 deputetë nënshkrues, për çështjen e shfrytëzimit e thëngjillit dhe minierën e Sibovcit.

Deputetja VV-së, Donika Kadaj-Bujupi, prezantoi rezolutën e inicuar, duke bërë të ditur se problem me pasoja të rënda hapësira e mihjes në Sibovc, ku, siç tha ajo, janë ndërtuar mbi 260 objekte pa leje dhe si pasojë e kësaj është ndërprerë mihja në këtë fushë. Tutje, ajo tha se si pasojë e veprimeve neglizhente të qeverisë po rrezikohet funksionimi i minierës së Sibovcit dhe se ka rrezik që mijëra punëtorë të mbesin pa punë. Pas prezantimit, ajo paraqiti mocionin me katër rekomandime dhe i ftoi deputet që ta votojnë atë.

Kryeministri Isa Mustafa dha sqarimet e tij në interpelancë, ndërsa shtoi se nuk pajtohet me pikat e kësaj propozim-rezolute. Mustafa tha se themelimi i Korporatës së thëngjillit është në harmoni me legjislacionin në fuqi, ndërkaq, procedurat e marrjes së pronave për interes publik kryhen sipas Ligjit për shpronësim dhe për zhvendosje.

"Në zonën "Mihja e Re", ku bën pjesë miniera e Shipitullës, janë bërë në bazë të politikave të zhvendosjes", theksoi Mustafa. Ndërkaq, lidhur me rrezikimin e banorëve, ai tha se korporata është duke i respektuar distancat lidhur me vendbanimet e banorëve. Tutje, Mustafa u shpreh se hallka e parë lidhur me këtë çështje është pushteti lokal dhe më pas Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor. Sipas tij, ministria ka për detyrë të vazhdojë të punojë sipas interesave të qytetarëve, ndërkaq, efikasiteti në shpronësim dhe zhvendosje të banorëve të Obiliqit, do të jenë kritere të projektit ''Kosova e Re", me mbështetje të Bankës Botërore.

Deputeti Bislim zogaj, në emër të GP të PDK-së, e cilësoi shumë të rëndësishme që të veprohet me shpejt me zhvendosjen dhe të vazhdohet tutje në prodhimin e thëngjillit.

Ndërkaq, deputeti Murat Hoxha nga GP i LDK-së, tha se përpjekjet e qeverise janë që të punohet sa më shumë në të mirë të banorëve të Obiliqit. Lidhur më këtë, ai shtoi se është hartuar plani hapësinor, është miratuar Ligji për shpronësim të pronave dhe janë paraparë procedurat e zhvendosjes.

Rrustem Berisha nga GP i AAK-së, shprehu shqetësimin e tij lidhur me ndërtimet pa leje për, siç tha ai, përfitime personale. Berisha u bëri thirrje organeve kompetente që të ndërmarrin masa sa më shpejt, ngase, siç tha ai, gjendja e banorëve ne zonat e Obiliqit është shqetësuese.

Zafir Berish në emër të GP NISMA, theksoi se plani strategjik i kësaj miniere dhe të dhënat për ndërtimin e shtëpive në zona të veçanta, është e lidhur me njerëz të pushtetit.

Debatit lidhur me këtë çështje i kontribuuan edhe deputetët tjerë, Shaip Muja, Ismet Beqiri, Mytaher Haskuka, Melihate Termokolli, Salih Salihu dhe Armend Zemaj.

Pas diskutimeve të deputetëve, fjalën e mori edhe njëherë kryeministri Mustafa, i cili dha sqarime në çështje të ngritura nga diskutuesit.

Pas debatit, rezoluta u hodh ne votim, por nuk arriti të marrë votat e mjaftueshme.

Seanca vazhdoi punimet me shqyrtimin e projektligjeve, sipas rendit të ditës.

Lidhur me shqyrtimin e parë të Projektligjit për aftësimin, riaftësimin profesional dhe punësimin e personave nga pjesët veriore të Kosovës, deputetja Safete Hadërgjonaj, para anëtarëve të Kuvendit prezantoi aspekte përmbajtësore të tij dhe potencoi sfidat e problemet me të cilat përballen qytetarët e pjesës veriore të Mitrovicës. Ajo theksoi se qytetarët e kësaj pjese përballen me shume probleme socio- ekonomike dhe kërkoi nga institucionet e Kosovës përkrahje me të madhe. Hadergjonaj tha se GP i PDK-së ka marrë iniciativën për punësim të qytetarëve të pjesës veriore të Mitrovicës, në mënyrë që të mbështetet krijimi i vendeve të punës nëpërmjet subvencionimit të tyre nga qeveria.

Ky projektligj nuk u përkrah nga grupet e tjera parlamentare dhe u cilësua si ligj diskriminues, pasi që, u vlerësua se është hartuar vetëm për pjesën veriore të Mitrovicës.

Në vazhdim, raportin me rekomandime të Komisionit për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini e Sport lidhur me Mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për fuqizim dhe pjesëmarrje të rinisë, në emër të Komisionit e paraqiti dhe arsyetoi deputeti Salih Morina. Pas diskutimeve, raporti u miratua nga deputetët e Kuvendit.

Nga vazhdimi i mbledhjes plenare të KuvenditNga vazhdimi i mbledhjes plenare të KuvenditNga vazhdimi i mbledhjes plenare të Kuvendit