Lajmet e fundit

Komisioni për Zhvillim Ekonomik...

E Marte, 02.05.2017




Komisioni për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri, në mbledhjen e sotme të kryesuar nga Muhamet Mustafa, kryetar i komisionit, shqyrtoi Raportin Vjetor të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) për vitin 2016.

Në emër të ZRRE-së foli ushtruesi i detyrës së kryesuesit të Bordit të ZRRE-së Krenar Bujupi, i cili duke paraqitur këtë raport, vuri në dukje të arriturat dhe sfidat e këtij institucioni.

Ai tha se humbjet komerciale dhe ato teknike prej 30% vazhdojnë të mbeten sfidë në sektorin energjetik.

Në vijim, Bujupi njoftoi për vendimet që ka marrë ZRRE, të cilat sipas tij kanë ndikuar në një performancë pozitive në tërë sektorin energjetik si dhe në furnizimin më cilësorë të konsumatorëve me energji elektrike.

Më pas, ai iu referua ndryshimeve ligjore, me të cilat është paraparë edhe liberalizimi i tregut, çështje kjo e cila deri metani ka paraqitur sfidë në sektorin energjetik në vend.

Në vijim të paraqitjes së tij, Bujupi vuri në spikamë përmbushjen e rekomandimeve të Komisionit, nëpërmjet të cilave nga ZRRE-ja kërkohej rritja e analizës së gjendjes në këtë sektor, trajtimi i ankesave dhe raportimi lidhur me ecurinë e investimeve.

Për sa i përket nivelit të faturimit të energjisë së harxhuar, Bujupi e konsideroi të suksesshëm faturimin deri në masën 97%, ndërkaq, vuri në spikamë nevojën e faturimit të energjisë në tërë territorin e vendit.

Gjatë debatit lidhur me këtë raport, u vu re nevoja që KOST-i sa më parë të marrë statusin e operatorit të pavarur.

Më pas, ai u është përgjigjur pyetjeve të shumta që shtruan anëtarët e Komisionit, të cilët vlerësuan se ZRRE-ja, është organi më kompetent për rregullimin e sektorit të energjisë.

Pas diskutimeve lidhur me këtë Raport, anëtarët e komisionit e mbështetën atë së bashku me rekomandimet që dolën gjatë debatit.

Komisioni për Zhvillim Ekonomik...