Lajmet e fundit
Veseli bashkëbisedon me gratë sipërmarrëse në Kaçanik (VIDEO+FOTO)
E Enjte, 27.04.2017
Kryetari i Kuvendit të Kosovës Kadri Veseli ka bashkëbiseduar me gratë sipërmarrëse në Komunën e Kaçanikut, për të dëgjuar nga to ide dhe propozime për fuqizimin e rolit të gruas në zhvillimin ekonomik të vendit.
Zarije Malsiu, kryetare e shoqatës "Gryka e Kaçanikut", e cila ka një qendër grumbulluese të bimëve malore propozoi që institucionet duhet shtojnë më shumë vëmendjen dhe mbështetjen për angazhimin dhe stimulimin e grave që të përshihen në ndërmarrësi dhe të punësohen në sektorë të ndryshëm.
Ajo tha se gratë e Kosovës janë punëtore por kanë nevojë për më shumë mbështetje institucionale në iniciativat e tyre për hapjen e bizneseve.
Ndërsa Albana Malsiu tha se gratë e rajonit të Kaçanikut të cilat kryesisht merren me grumbullimin dhe përpunimin e frutave të malit, kanë nevojë për trajnime profesionale, në mënyrë që të rrisin kapacitetet në punët e tyre.
"Ka shumë gra që nuk kanë aftësim profesional dhe do të doja që do të ishte një qendër për trajnimin e grave për aftësim profesional. Pa marrë parasysh, këto mjedra janë të mbjellura, por nuk ka trajnere për fokusin e tyre se si të bëhen në të ardhmen", tha Malsiu.
Pasi dëgjoi idetë dhe propozimet e grave sipërmarrëse, kryetari Veseli tha se gratë duhet të mbështeten në zhvillimin ekonomik të vendit, jo vetëm pse e përbëjnë gjysmën e popullsisë, por sepse janë punëtore dhe mund të japin kontribut të jashtëzakonshëm në përmirësimin e vendit në të gjitha fushat.
"S'kemi perspektivë tjetër përpos zhvillimit ekonomik. Nuk kemi perspektivë tjetër po ashtu pa u involvua gruaja në përgjithësi, në të njëjtën kohë ashtu sikur edhe burri, me role të ndara por me përgjegjësi të përbashkët për shtetin tonë, për vendin tonë, ambientin ku jetojnë fëmijët tanë. Kjo është ajo çfarë i duhet Kosovës", ka thënë kryetari Veseli.
Linku i pamjeve dhe deklaratave: https://we.tl/54YvGtICqS