Lajmet e fundit
Kryetarja e Komisionit për Integrime Evropiane, Njomza Emini, takoi zëvendësdrejtoreshën për çështje evropiane në Ministrinë e Jashtme të Francës, Laurence Auer
E Enjte, 27.04.2017
Kryetarja e Komisionit për Integrime Evropiane, Njomza Emini, u takua sot në Paris me zëvendësdrejtoreshën për çështje evropiane në Ministrinë e Jashtme të Francës, Laurence Auer, si dhe me Stephen Marchisio, zëvendësdrejtor për Evropen Kontinetale, Guillaume Rousson nga Drejtoria e Evropës Kontinentale, si dhe me Amelie Royet Goynin nga Shkolla Elitare në Paris - Lena.
Në fillim të këtij takimi, kryetarja Emini falënderoi znj. Auer për pritjen dhe për mundësinë e dhënë për të shkëmbyer pikëpamjet sa i përket perspektivës së Kosovës dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor, në procesin e integrimit evropian.
Po ashtu kryetarja Emini e njoftoi zyrtaren e lartë franceze me punën e Komisionit për Integrime Evropiane të Kuvendit të Kosovës, si dhe rolin e Komisionit në mbikëqyrjen e zbatimit të Agjendës për Reforma Evropiane, MSA-së dhe zbatimin e reformave nga institucionet e vendit në procesin e integrimit.
Në këtë takim po ashtu u diskutua edhe për bashkëpunimin dhe mbeshtetjen e dhënë Kosovës, kryesisht në Procesin e Berlinit nga ana e Francës, procesin e liberalizimit të vizave, si dhe për tema të tjera që ndërlidhen me perspektivën evropiane të Kosovës dhe rajonit.