Lajmet e fundit
Komisioni për Buxhet dhe Financa takoi përfaqësuesit e Doganave të Kosovës dhe ata të ATK-së
E Enjte, 27.04.2017
Në kuadër të procesit të monitorimit të realizimin e planit të të hyrave për tremujorin e parë të vitit 2017, Komisioni për Buxhet dhe Financa, takoi sot përfaqësuesit e Doganave të Kosovës dhe ata të Administratës Tatimore të Kosovës (ATK).
Takimi është kryesuar nga kryetari i komisionit, Naser Osmani, i cili pasi falënderoi drejtorin e Doganave të Kosovës dhe atë të ATK-së, përkatësisht, Bahri Berishën dhe Sakip Imerin, vuri në dukje rëndësinë e informimit nga ana e tyre.
Në fillim raportoi drejtori i ATK-së, Imeri, i cili bëri të ditur se gjatë periudhës raportuese, ATK-ja ka realizuar të hyra në vlerë prej mbi 94.9 milionë euro, e që krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, të hyrat janë më të larta për 8.66 milionë euro, apo shprehur në përqindje, rritja e shënuar e të hyrave tatimore arrin në 10.04% në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit paraprak.
Në vijim, ai njoftoi se gjatë kësaj periudhe janë mbledhur edhe kontributet pensionale në vlerë totale mbi 27 milionë euro. Të hyrat e përgjithshme gjatë kësaj periudhe raportuese, vijoi ai, arrijnë në vlerën prej më se 122.9 milionë euro.
Drejtori i ATK-së, Imeri, njoftoi edhe për të hyrat që realizohen në komunat e veriut të vendit. Lidhur me këtë, ai bëri të ditur se me gjithë vështirësitë që hasë ATK-ja atje, grumbullimi i mjeteve shënon trende pozitive.
Duke raportuar për të hyrat e tremujorit të parë të këtij viti, ndërkaq, drejtori i Doganave të Kosovës, Berisha tha: "Në vitin 2016, indikatorët kryesorë ekonomikë kanë treguar një qëndrueshmëri pozitive dhe një trend të shtuar të aktivitetit ekonomik, krahasuar me vitin 2015, duke reflektuar edhe në një performancë pozitive të nivelit të inkasimit të të hyrave".
Në vijim, ai sqaroi se parashikimi i të hyrave për vitin 2016 ka qenë 1040 milionë euro dhe shtoi më pas se ky projeksion është realizuar 101.1%, duke inkasuar shumën prej 1051.4 milionë euro.
Lidhur me projeksionet për inkasimin e të hyrave për vitin 2017, drejtori i Doganave Berisha, bëri të ditur se parashikimet kanë qenë që të arrijnë në shumën prej 1108 milionë, apo rreth 57 milionë më shumë se realizimi i vitit të kaluar, shprehur në përqindje 5.12% më tepër.
Arkëtimi i planifikuar, sipas buxhetit të të hyrave doganore në periudhe janar- mars për vitin 2017 kanë qenë 216.6 milionë euro, ndërsa realizimi ka arritur në 211.5 milionë euro, njoftoi më pas Berisha dhe shtoi se, realizimi është arritur në masën prej 97.6% nga planifikimi për këtë periudhë, krahasuar me periudhën e njëjtë te vitit 2016.
Më pas, raportuesit u janë përgjigjur edhe interesimit të deputetëve.