Lajmet e fundit

Nga mbledhja e Komisionit për Bujqësi...

E Mërkure, 26.04.2017




Komisioni për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Mjedis dhe Planifikim Hapësinor, i kryesuar nga zonja Duda Balje, kryetare e Komisionit, në mbledhjen e sotme debatoi për Raportin vjetor të Autoritetit rregullator për shërbimet e ujit për vitin 2016.

Në këtë mbledhje, përveç anëtarëve të Komisionit, morën pjesë edhe përfaqësuesit e Autoritetit rregullator për shërbimet e ujit me në krye z.Raif Preteni, si dhe përfaqësuesi i KDI-së.

Duke folur për Raportin vjetor të Autoritetit rregullator për shërbimet e ujit për vitin 2016, z. Preteni theksoi se në fillim të vitit 2016, për shkak të moszgjedhjes së menaxhmentit, përkatësisht drejtorit dhe zëvendësdrejtorit të këtij Autoriteti nga ana e Kuvendit, kemi pasur disa probleme që janë shprehur në mosmundësinë e miratimit të disa akteve juridike dhe udhëzimeve administrative, por prapëseprapë ky Autoritet, me përpjekje të mëdha, në tërësi i përmbushi të gjitha detyrat, të cilat ishin përfshi në Planin dhe Programin e punës së këtij Autoriteti për vitin e kaluar.

Në vazhdim të fjalës së tij, z. Preteni theksoi se shtatë kompani rajonale të licencuara nga ky Autoritet, në vitin 2016 kanë prodhuar gjithsej 143.597.279 metra kub ujë, dhe nga gjithë kjo sasi, për shkak të rrethanave të ndryshme, humbjet e ujit janë faturuar me gjithsej 61.950.739 metra kub.

Në fund, z. Preteni theksoi se në tre vitet e fundit çmimi i metrit kub të ujit nuk ka ndryshuar dhe se deri më tani territori i Kosovës është mbuluar 90% me ujësjellës, dhe se në këtë vit do të provohet që, mbulimi me ujësjellës të rritet dhe kujdes i posaçëm t'i kushtohet keqpërdoruesve të ujit, të njëjtit identifikohen dhe kundër tyre të hapen procedurat ligjore nga organet kompetente gjyqësore.

Pastaj, anëtarët e Komisionit njëzërit përkrahën në parim Raportin vjetor të Autoritetit rregullator për shërbimet e ujit për vitin 2016, i cili do t'i dërgohet Kuvendit të Republikës së Kosovës në procedurë të mëtejme për miratim.

Në këtë mbledhje, anëtarët e Komisionit shqyrtuan edhe Projektligjin për Kompleksin përkujtimor ,, Adem Jashari'' në Prekaz, të cilin e përkrahën në parim.

 

Nga mbledhja e Komisionit për Bujqësi...